Conte: Mbështesim çeljen e negociatave

schedule17:08 - 15 Tetor, 2019

schedule 17:08 - 15 Tetor, 2019

Italia mbështet çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE-në. Në vizitën e tij të parë në vendin tonë, kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se në mbledhjen që do të zhvillojë Këshilli i Europës, do të kërkojë çeljen e negociatave me Shqipërinë, pasi kjo është në interes të të gjithë Europës.

“Me rastin e vizitës sime të parë në Shqipëri, i konfirmova zotit Edi Rama se Italia mbështet çeljen e negociatave për anëtarësim me BE dhe personalisht ditën e enjte dhe të premte do ta mbështes këtë pozicion. Çelja e negociatave janë instrumentet më të mira për të garantuar zhvillimin e Shqipërisë në interes të të gjithë Europës. Hyrja e Ballkanit Perëndimor në BE është një objektiv thelbësor për sa i përket integrimit të këtij rajoni.

Populli është shprehur pro anëtarësimit ndaj BE dhe kjo shërben si një shtysë që institucionet të ecin para që mos ta zhgënjejmë këtë aspiratë. Kemi një perspektivë që nga viti në vit nëse shtyhet do kemi edhe një zbehje të kësaj dëshire. Këtu kemi angazhimin italian dhe kjo përbën një angazhim të madh për lidershipin, qeverinë italiane, sikurse Edi Rama më konfirmoi vijimin e qeverisë së tij në këtë rrugëtim”, tha Conte.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, falenderoi homologun italian për qëndrimin e palëkundur që ka pasur gjatë gjithë kohës.

“Padiskutim që vizita e kryeministrit Conte sot është edhe në kuadrin e një jave shumë të rëndësishme shumë të rëndësishme për BE dhe për Shqipërinë në vigjilje të një takimi të KiE ku do të diskutohet dhe vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe RMV. Dua ta falënderoj Italinë dhe qeverinë që në koherencë të plotë me vijën e politikës së jashtme italiane, për asnjë moment nuk është lëkundur për mbështetjen e Shqipërisë, RMV dhe gjithë këtij rajoni në perspektivën e integrimit evropian”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!