Conte: Emocion i madh të kthehem në Lecce, do vuajmë në fazën e dytë

schedule14:13 - 18 Janar, 2020

schedule 14:13 - 18 Janar, 2020

Inter udhëton nesër (15:00) drejt Lecces dhe objektivi janë vetëm tre pikët. Antonio Conte vjen nga ky qytet dhe kjo përballje është emocionuese për të. Gjatë konferencës për shtyp, trajneri i Interi vlerëson rivalin e radhës dhe tregon mënyrën se si Interi i tij duhet të luajë e fitojë. Conte jep një koment për Ashley Young, blerjen e re të klubit, teksa e ka të qartë se faza e dytë e kampionatit do të jetë edhe më e vështirë dhe komplikuar.

KUNDËRSHTARI – “Lecce po bën rrugëtimin e vet dhe synon të shpëtojë nga rrëzimi nga kategoria. Është një ekip që ka luajtur mirë dhe kanë një ide pozitive për të siguruar rezultate. Lecce ka një trajner të aftë dhe një skuadër të mirë. I uroj çdo të mirë si një leçez që jam. Është gjithmonë emocion i madh të kthehem aty. Në Lecce kam lindur dhe jam rritur, familja ime jeton ende në këtë qytet. Do të jetë një ndeshje e veçantë”.

NDESHJA – “Do të shkojmë në Lecce me përqendrimin dhe vendosmërinë e zakonshme. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe duhet të japim sinjale të qarta dhe konkrete. Këtë pres nga ekipi nesër.

YOUNG – “Nuk është gati për nesër. Sapo ka ardhur dhe ka nevojë për kohën e vet për t’u përshtatur me mekanizmat tona. Mendoj se do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Cagliarin”.

FAZA E DYTË – “Duam të përsërisim atë që kemi bërë në fazën e parë, por nuk do të jetë e thjeshtë, përkundrazi, mendoj se do e kemi shumë të vështirë. Duhet të provojmë duke u stërvitur edhe më shumë me entuziazëm”. /abcnews.al