Mesfushori i Chelseas, Ngolo Kante, është përfolur ditët e fundit me një kalim në radhët e Interit. Edhe pse në kampin zikaltër kampioni i botës do të gjente Antonio Conten, me të cilën fitoi dhe Premier League, ai sërish dëshiron të qëndrojë në Londër.
Sipas raportimive të mediave angleze, 29-vjeçari kërkon të vazhdojë aventurën e tij tek Chelsea edhe pse në sezonin e fundit ai u aktivizua në 50% të ndeshjeve nga trajneri Lampard. Sezoni i kaluar nuk ishte më i miri për Kanten në “Stamford Bridge”, pasi gati për gjatë gjithë sezonit dëmtimet nuk e lanë të qetë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Interi po përgatit një ofertë për mesfushorin, e cila me shumë mundësi do të refuzohet si nga lojtari por edhe nga klubi ishullor. Trajneri Lampard në fundin e sezonit deklaroi se Kante është një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin dhe kurrsesi nuk do ta dëshironte largimin e tij. /abcnews.al