Tirana, Vllaznia dhe Egnatia luajnë sot ndeshjet e kthimit të raundit të parë paraeliminator të Conference League, me tre skuadrat e Superiores që kërkojnë kualifikimin.
E para që do të luajë është Tirana, e cila do të ndeshet në transfertë me Dinamo Batumin, sfidë që do të startojë në orën 19:00 në Batum të Gjeorgjisë. Nënkampionët e Shqipërisë barazuan vetëm në fund kundër skuadrës gjeorgjiane në takimin e parë me rezultatin 1-1, teksa kësaj radhe do të kërkojnë kualifikimin.
Në orën 20:00 do të startojë takimi mes Egnatias dhe Ararat-Armenia në stadiumin “Elbasan Arena”. Rrogozhinasit gjithashtu morën një barazim me vlera në minutën e fundit, po ashtu 1-1, teksa në ndeshjen e kthimit do të synohet fitorja.
Në orën 20:45, në “Loro Boriçi” do të hidhet në fushë Vllaznia që do të presë Linfildin. Shkodranët humbën 3-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Irlandën e Veriut, ndërsa sot do të tentojnë të përsërisin mrekullinë e dy viteve më parë, kur në Shkodër përmbysën Shirokun./ h.ll/abcnews.al