Çomo: Të rinj me forma të rënda të Covid! Manastirliu: Çfarë ndodh gjatë dy javëve të ardhshme

schedule12:40 - 10 Shkurt, 2021

schedule 12:40 - 10 Shkurt, 2021

Në mbledhjen e sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve ku edhe u  njoftuan masat e reja anti-covid, shefja e Shërbimit Infektiv Najada Çomo tha se në spitalet Covid ka një rritje të pacientëve.

Gjatë fjalës së saj Çomo bëri apel për respektim të masave pasi theksoi se në spitale ka raste të rënda të pacientëve më covid,  të cilat janë shfaqur edhe tek moshat e reja.

Lexo edhe: E FUNDIT/ Ndalim qarkullimi pas orës 20:00: Çfarë ndodh me shkollat, kur mbyllen baret dhe restorantet

“Pacientet e shtruar në spitalet Covid janë në rritje dhe ka forma të rënda të moshave të reja që ndodhen në spitale.  Fluksi në spitalet Covid vijon të jetë i përballueshëm , por i shtuar. Bëj apel për respektim të masave, theksoj se në terapi intensive dhe subintensive kemi shtim të pacientëve. Por në garantojmë në mënyrë maksimale në punën tonë, por stërmundimit të bluzave të bardha qytetarët mund t’i përgjigjen vetëm më respektimin e rregullave”, tha Çomo.

Lexo edhe: Manastirliu: Mësim online për shkollat e mesme në këto bashki, zgjatet sezoni i provimeve

Gjithashtu edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu apeloi për respektim të masave, për shkak të rritjes së infektimeve. Manastirliu tha se nuk do të ketë asnjë tolerancë në rast se nuk do të zbatohen.

“Për masat ekzistuese dhe masat e reja nuk do të ketë asnjë tolerancë për mos zbatimin e tyre. Dy javët e ardhshme janë vendimtare dhe kërkohet sakrificë. Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit. Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme do të vendoset nëse do të kemi shtrëngime të masave apo lehtësim të tyre.

Shëndeti do të jetë në majë të piramidës, Në këtë fazë kritike që ka mbërritur pandemia kërkohet mobilizim nga të gjithë, duke kontribuar në shpëtimin e jetës së familjarëve.

Pas një përpjekje 1 vjeçare përballë një pandemi që ka vënë në vështirësi sistemet shëndetësore kudo në botë, ftoj që të tregohemi vigjilentë. Virusi nuk është lodhur, ai është nëpërkëmbë dhe bën festë sa herë që relaksohemi dhe ulim vigjilencë. Është një luftë dhe ajo është në mes. Qytetarë autoritete, media të gjithë bashkë vetëm kështu do t’ja dalim”, tha Manastirliu.

Gjatë konferencës Albana Fico tha se incidenca është e lartë dhe se në këtë mënyrë përhapja e infeksionit është më e madhe.

“Shpejtësia me të cilën po përhapet infeksioni, është shqetësuese, këtë javë kemi shtim të infeksioneve respiratore. Mosha mesatare e shtrimeve në spitale është e ulur dhe ky është një apel për të bërë kujdes.  Ne kemi masa por respektimi i tyre është parësor dhe pavarësisht masave të reja duhet të kuptojmë se respektimi i tyre nuk duhet të neglizhohet”, tha Fico.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!