Como “all in” në merkato, klubi italian kërkon ish-“yjet” e Manchester United

schedule16:36 - 18 Korrik, 2024

schedule 16:36 - 18 Korrik, 2024

Italianët e Como u rikthyen pas plot 21 vitesh, në elitën e Serie A dhe ndryshe nga hera e fundit, ambicia dhe paratë nuk mungojnë në klubin apenin, me drejtuesit që po punojnë për ndërtimin e një skuadre që nuk do të tentojë vetëm mbijetesën.

Në qytetin e liqenit të famshëm italian kanë nisur të ëndërrojnë, teksa prej kohësh objektiv i bordit për mbrojtjen është “lideri” francez, Raphael Varane, ish-kampion bote me Francën dhe 4 herë fitues i Champions League, objektiv i cili duket se do të arrihet mjaft thjeshtë me teknikun Cesc Fabregas, që ka përfunduar bisedimet dhe 31-vjeçari mund të prezantohet mjaft shpejt te Como.

Mirëpo, jo vetëm Varane, pasi një prej klubeve më të pasur, në Serie A po tentojnë edhe afrimin e dy sulmuesve të njohur, Memphis Depay e Anthony Martial, të cilët pritet t’i shtojnë cilësi dhe përvojë ofensivës së skuadrës italiane.

Lojtarë që janë të lirë, si pasojë e përfundimit të bashkëpunimeve me Atletico Madrid dhe Manchester United dhe ekziston një mundësi shumë e madhe, që të nisin një aventurë të re, në Serie A.

Deri më tani merkato e Como ka qenë mjaft efikase, teksa ka afruar emra goxha të njohur në futbollin evropian si Pepe Reina, Andrea Belotti, Alberto Moreno e Alberto Dossena, teksa ende për t’u zyrtarizuar janë marrëveshjet me Rodri Sanchez, “gardianin” spanjoll, Pau Lopez dhe “fantazistin” e Milan, Luca Romero, me këtë të fundit që pritet të kalojë te të sapongjiturit në Serie A, në formën e huazimit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!