Çmontohet kampi i çadrave në Floq

schedule22:32 - 11 Qershor, 2019

schedule 22:32 - 11 Qershor, 2019

Disa prej familjeve që ishin strehuar në çadra janë kthyer në shtëpi dhe kampi në fshatin Floq të Korçës është çmontuar nga emergjencat civile. Ndërsa komisionet e vlerësimit vijojnë punën në terren për evidentimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Kampi i çadrave në qendër të fshatit Floq, ku për 10 ditë u strehuan familjet, që u preken nga tërmeti është çmontuar nga forcat e ushtrisë. Temperaturat e larta, e bënë të pamundur qëndrimin brenda tyre.

Disa prej familjeve kanë vendosur të kthehen në shtëpitë e tyre,edhe pse ato janë të pabanueshme.  E tillë është edhe shtëpia e Sotiraq Pelivanit. Profesioni si ndërtues, i jep dorë të ngrejë vetë një barakë, brenda oborrit të shtëpisë, ku do të qëndrojë derisa të rindërtohet banesa.

Të tjerë, kalojnë natën në garazhe ose oborre, në mungesë të çadrave, të përshtatshme për hapësira të vogla. Fatkeqësinë natyrore, mundohen ta lenë pas, duke ju kthyer tokës dhe punëve të përditshme.

104 persona vijojnë ende të qëndrojnë në ambientet e shkollës së fshatit. Kreu i emergjencave civile Haki Çako vazhdon puna për të evidentuar të gjitha shtëpitë që u dëmtuan nga tërmetet.

Ndërsa prefekti i Korçës e konsideroi të tejkaluar fazën e emergjencës. Bashkia e Korçës ka vënë në dispozicion edhe ambientet e konviktit të universitetit Fan Noli, por banorët refuzojnë të lenë fshatin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!