“Çmimi ka rëndësi për të tjerët, jo për vetë shkrimtarin”, rrëfehet Kelmendi: Shkodra e ka kryer misionin e saj në kulturën shqiptare

schedule11:07 - 14 Shkurt, 2025

schedule 11:07 - 14 Shkurt, 2025

Poeti, prozatori dhe përkthyesi, Shpëtim Kelmendi u vlerësua me çmim me vëllimin me tregime “Dashnia asht” në Çmimet Kombëtare të Letërsisë.

Ai ka folur në emisionin “Pas Mesnate” për këtë çmim, duke thënë se nuk i ka qejf shumë çmimet, pasi artisti nuk garon me të tjerët, por me veten.

Sipas Kelmendit, me këtë çmim thjesht ua konfirmon të tjerëve se kush është ai, se cilësitë e vetes i njeh.

“Garat janë për kuajt dhe për qentë, edhe shkrimtari nuk garon. Artisti nuk garon, një artist që garon nuk është i tillë. Nëse ka nevojë të domoshme për garën, do ta bëjë garën doemos, le ta bëjë garën me veten e tij. Të përpiqet t’ia kalojë vetes së tij, që ishte dje. Nëse ne, në çdo të sotme jemi më të mirë se e djeshmja jonë, atëherë ecja jonë është e pandalshme. Nëse ne garojmë me të tjerët, ne na duhet të ndjekim ritmin e të tjerëve. Secili nga ne ka ritmin e vetë, ritmin e kapërcimit të asaj që ishim dje. Kështu nuk ndalemi asnjëherë.

Çmimi në fakt nuk ka rëndësi për atë që e merr. Çmimi, në rastin tim, ka rëndësi për të tjerët. Unë e di çfarë jam, çfarë cilësie kam, si shkruar, çfarë standardi estetik kam dhe nuk është një çmim që ma konfirmon këtë. Ama ky çmim, ua konfirmon të tjerëve se çfarë jam unë. Pra, nuk më shërben mua, i shërben të tjerëve që të dinë pak më shumë për mua”.

Më tej, ai foli dhe vendlindjen, Shkodrën, e cila njihet si ‘djepi i kulturës’. Kelmendi theksoi se ky qytet e ka kryer misionin e vetë në kulturë.

“Vetë Shkodra ka një botë të vetën, një botë interesante. Unë kam një shprehje që nëse shoh një njeri që shkruan mirë, e pyes a ke lidhje me Shkodrën? A ke ndokënd në Shkodër? A ke kaluar fëmijërinë atje? Se nuk ka mundësi me ken shkrimtar i mirë dhe mos me pas lidhje me Shkodrën.

Unë mendoj që Shkodra e ka ba të vetën dhe ça ka pas me ba, e ka ba dhe mos baftë kurragja tani e mbrapa, po të rrijë në zheg e të flejë, e ka bërë detyrën”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!