Çmimi i Madh i Kanadasë/ Verstappen dominon dhe triumfon, barazon legjendën braziliane

schedule11:53 - 19 Qershor, 2023

schedule 11:53 - 19 Qershor, 2023

Holandezi po “fluturon” e nuk dihet se ku mund të ndalet.

Po flasim për kampionin e botës, Maks Verstapen, i cili barazoi një nga legjendat e Formula 1, Airton Senën.

Piloti i Red Bullit arriti fitoren e 41-të në karrierë, pasi triumfoi në Çmimin e Madh të Kanadasë, po aq sa kishte arritur gjigandi i ndjerë nga Brazili.

Ndryshimi është që Airtoni e arriti në 161 gara, dhe Maksi në 171.

Natyrisht, është epokë tjetër, dhe Verstapeni është me fat që rivalitetin nuk e ka në nivelin që e kishte Sena, kur në pistë ishin Alen Prosti, Nelson Pike apo Najxhel Mansel, ndërsa më pas erdhi Mikael Shumaher dhe ai vetë humbi jetën në përplasjen e tmerrshme në Imola në 1994.

Piloti 25-vjeçar i Red Bullit ka tani 4 fitore radhazi këtë sezon, duke kryesuar renditjen e Botërorit dhe po shkon drejt titullit të tretë botëror radhazi.

Në vend të dytë Fernando Alonso me Aston Martin dhe i treti Ljuis Hamiltoni me Mercedes.

“Ishte sërish një ditë e madhe. Nuk ishte gara më e lehtë, sepse ishte e vështirë të mbaje temperaturën e duhur të gomave, sidomos me gomat e forta. Pra nuk ishte dita më e mirë, por ia dolëm të ruanim distancën. Jam krenar që barazova një legjendë si Sena. Ne jemi rritur me mitin e tij. E përsëris që nuk ishte fitore e lehtë, nuk ishte e lehtë të drejtoje makinën, por rëndësi ka që fituam dhe kjo llogaritet”.

Verstapeni po arrin suksese në moshë tepër të re, ndërsa për këtë nivel fitoresh legjendave të së kaluarës u janë dashur shumë më tepër sezone.

Kampioni i botës është ende 25 vjeç, ndërsa për 40 fitore të gjithë të tjerët kanë qenë të paktën 30 vjeç, dhe po flasim për Senën, Prostin, Shumaherin e Hamiltonin./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!