Në Lezhë përplasjet mes forcave politike kanë kaluar përtej akuzave elektorale. Kandidati i Partisë Socialiste, Ermal Paci, ka dorëzuar një kallëzim në Policinë e Lezhës duke pretenduar se persona të lidhur me Partinë Demokratike kanë kryer kërcënime me armë ndaj përfaqësuesve të PS-së në zonë.
“Persona të armatosur janë paraqitur në pronën e babait të kandidates sonë, duke bërë kërcënime serioze dhe duke kercenuar me pengmarrje. Kemi depozituar kallëzim dhe presim që institucionet të veprojnë menjëherë”
Policia e Lezhes ka shpallur në kërkim Xhejson Seferajn dhe Ilirjan Gjokën pas depozitimit të kallëzimit nga kandidati I PS-së në Lezhë të cilët akuzohen për kanosje ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje dhe armëmbajtje pa leje.
Por tensionet janë shtuar edhe më tej, pas publikimit të një videoje nga kandidati i koalicionit opozitar, Gjin Gjoni.
Në këtë video të publikuar nga Gjin Gjoni, dëgjohet vetëm gjuha e rëndë dhe ofendimet, por sipas kandidatit të Partisë Demokratike, vetëm kështu mbrohet vota e lirë.
“Grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje të njerëzve që dalin natën për qëllime të mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do tiu ndjekim këmba-këmbes”
“Çdo natë militantë të PD qarkullojnë orëve të vona, pa arsye, për të gjurmuar duke krijuar alibinë e tyre të humbjes për zgjedhjet e 11 majit. Është depozituar kallëzimi”
Policia e Lezhës ka nisur verifikimet pas kallëzimit të depozituar nga PS./abcnews.al