“Çmenden” çmimet në Gjirokastër, një kg qepë tregtohet 120 lekë

schedule13:09 - 27 Dhjetor, 2018

schedule 13:09 - 27 Dhjetor, 2018

Në Gjirokastër janë pakësuar tregtarët edhe blerësit për këtë periudhë. Por ajo që duket e pazakontë krahasuar me rrethet e tjera, çmimet në tregun e fruta perimeve janë shumë të larta.

Ajo që gjithkund gjendet më lirë, në Gjirokastër është e shtrenjtë. Çmimi për një kilogram qepë në tregun e fruta-perimeve në këtë qytet ka arritur 120  apo 130 lekë të reja.

Në një kohe kur në kryeqytet tregtohet me 70 lekë, kurse në qytetet e tjera kjo vlerë është edhe më e ulët.

“Qepa është rritur shumë, lulelakra, brokoli, preshi”.

Edhe për produktet e tjera në Gjirokaster ka rritje të çmimeve. Çmimi i një kilogram brokoli apo një kilogrami sallatë jeshilie është rritur në masën 30% , kurse frutat 50 përqind.

Shumë blerës thonë se nuk blejnë pasi nuk kanë mundësi. Festat e fundvitit për ta do të jenë si ditët e zakonshme.

“S’ka më para, nuk punon njeri më. Asnjë gjë s’kam bërë, njëherë e një kohë bënim bakllava, vajta 8 vjet që nuk kam bërë bakllava”.

Tregu i fruta-perimeve në Gjirokastër furnizohet vetëm dy herë në javë. Blerësit janë të pakët, dhe tregtarët po ashtu janë pakësuar.

“Shumë dobët sivjet nuk blejnë, çmimet ato që kanë qenë janë”.

Gjirokastra furnizimet nga fermat, apo rrethinat i ka shumë të pakta. Fshatarët afrojnë vetëm spinaq, erëza dhe vezë. Kurse prodhimet e tjera hyjnë kryesisht nga jashtë, ose nga ndonjë rreth tjetër. /abcnews.al