Manchester City është zyrtarisht ekipi kampion i Premier League. Fitorja 1-2 e Leicester City në “Old Trafford” kundër United vendas, shpalli matematikisht ekipin e Pep Guardiolës kampion tre javë përpara fundit të sezonit.
Titulli i shtatë në historinë e “Cityzens” dhe i treti me Guardiolën në pankinë. Trajneri spanjoll rrëfeu emocionet e përjetuara në një prononcim për kanalin zyrtar të klubit, aty ku e cilëson si triumfin më të vështirë në kampionat.
“Ky ka qenë sezoni më i vështirë, kampionati më i vështirë që kemi fituar deri tani. Do e mbajmë mend gjithmonë mënyrën se si e fituan këtë titull. Jam shumë krenar për këtë grup lojtarësh, të gjithë janë të veçantë.
Djemtë shfaqën një vazhdimësi të jashtëzakonshme, pavarësisht vështirësive të shumta që kemi kaluar. Ky triumf është gjithashtu për çdo anëtar të stafit tonë teknik, i cili ka punuar pa u lodhur në prapaskenë për t’u siguruar që lojtarëve të mos u mungonte asgjë.
Premier League është trofeu më i rëndësishëm për të gjithë ne. Kur luan çdo tre ditë, duhet ta tregosh çdo javë që je skuadra më e mirë nëse dëshiron të fitosh kampionatin“, deklaroi trajneri spanjoll i Manchester City. /abcnews.al