“City, harroje rekordin! Mourinho i duruar, titulli shpëton sezonin e Barçës”

schedule17:55 - 6 Mars, 2021

schedule 17:55 - 6 Mars, 2021

Rivaldo ka prekur disa tema gjatë prononcimit të fundit. Ish-kampioni i botës me Brazilin dhe fituesi i “Topit të Artë” me Barcelonën, ka një këshillë për Manchester City në deklaratën e dhënë për BetFair. Skuadra e Pep Guardiolës numëron 21 fitore radhazi në të gjithë kompeticionet.

Më pas Gareth Bale dhe Tottenham. Ylli nga Uellsi është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe po shënon gola për skuadrën e Jose Mourinhos, trajner të cilin Rivaldo e vlerëson për durimin që shfaqi. Në fund Barcelona, skuadra e tij e zemrës.

Jam i bindur se Manchester City do e shkëmbente me kënaqësi rekordin e fitoreve radhazi me një trofe. Kur them trofe e kam fjalën për Champions League. Kjo është arsyeja pse mendoj se ata duhet të mendojnë më shumë për triumfin në Champions sesa të fokusohen te rekordi i fitoreve.

Nuk ka vlerë të arrish kaq shumë fitore radhazi dhe më pas të dështosh në ndeshjet vendimtare. Guardiola duhet të mendojë për të lënë disa titullarë pushim, në mënyrë që t’i ketë të freskët atëherë kur i duhen më shumë.

 

Rivaldo, fitues i Topit të Artë me Barcelonën

Gareth Bale? Mourinho u tregua i duruar me të. Bale po shkatërronte karrierën e tij te Real Madrid, ndërsa tani duket sikur e ka rigjetur vetveten. Mendoj se uellsiani do të jetë i rëndësishëm për Tottenham deri në fund të sezonit.

Barcelona? Pavarësisht rrethanave të vështira, Roland Koeman po bën një punë të shkëlqyer dhe po tenton të rikthejë skuadrën aty ku e meriton. Ishte e bukur ta shihje të gëzuar pas suksesit me Sevilla në Kupën e Mbretit. Sigurisht që fitimi i Kupës nuk do e shpëtonte sezonin e katalanasve.

Ata duhet të fokusohen te lufta për titullin kampion. Nëse Barcelona do të fitojë kampionatin, atëherë sezoni nuk do të ishte i dështuar. PSG? Francezët janë të fortë, nuk mendoj se ata do të përmbysen kaq lehtë përsëri.

Megjithatë, si një ish-lojtar dhe tifoz i Barcelonës, do të më pëlqente shumë një përmbysje e madhe (PSG ka fituar 1-4 sfidën e parë të raundit të 1/8-ve në Camp Nou), edhe pse kam dyshimet e mia“, përfundon braziliani i njohur. /abcnews.al