Policia është alarmuar gjatë orëve të vona të natës nga një makinë tip “Benz”, në të cilin udhëtonin dy persona. Sipas policisë, rreth orës 02:45, në Qafë-Kashar, një patrullë i ka bërë shenjë ndalimi makinës, por nuk kanë ndaluar dhe është larguar në drejtim të Fushë-Krujës.
Në tentativë për t’u larguar nga Policia, në Fushë-Krujë, mjeti është përplasur me një bordurë.
Personat që ndodheshin në mjet, kanë dalë dhe janë larguar, duke braktisur mjetin. Pas verifikimeve nga Policia, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura disa ditë më parë. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Policia ka dyshime se mund të kenë pasur qëllim përdorimin e tyre në ndonjë ngjarje kriminale.
Kujtojmë se në Shqipëri, skema të tilla me targa të vjedhura janë të përsëritura. Kriminelët përdorim makina po ashtu të vjedhura, më pas vendosin targat e vjedhura nga automjete të tjera dhe kryejnë ekzekutimet. Pas krimit arratisen, i vendosin flakën makinës së përdorur dhe kështu zhdukin çdo gjurmë, duke e bërë thuajse të pamundur gjetjen e tyre. /abcnews.al/