Cili do të jetë reagimi mazhorancës pas lëvizjeve të Metës? Përgjigjet Pëllumbi: Ka “ngecur” shkarkimi i tij

schedule21:44 - 4 Mars, 2020

schedule 21:44 - 4 Mars, 2020

Mbrëmjen e sotme në  Byro Politike u diskutua tema “Beteja e Metës dhe opozita në sfond”.

Gjatë manifestimit të organizuar nga Presidentit Meta në 2 mars, ky i fundit firmosi dekretin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për funksionimin dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese” duke bërë edhe një paralajmërim të fortë.

Se nëse pas 15 Marsit që është edhe afati i fundit kohor për miratimin e reformës zgjedhore, nuk do të ketë reagim ndaj mazhorancës, atëherë dekretin e shpërndarjes së parlamentit, do të firmosej në Kuvendin e Shqipërisë.

Por çfarë ndodh pas këtij qëndrimi të Presidentit Meta? Përgjatë orëve në vazhdim pas tubimit, ka patur një sërë statusesh dhe postimesh e deklaratash në rrjetet sociale mes Presidentit dhe mazhorancës.

Jehona e deklaratave ka vijuar me replika në distancë. Cili do të jetë reagimi mazhorancës, kjo mbetet ende për tu parë në ditët në vijim.

Të ftuar për të diskutuar në lidhje me lëvizjet e Presidentit Meta, ishin të ftuar përballë gazetares Juli Xhokaxhi;

Arben Pëllumbi, Tomorr Alizoti, Gjergj Bojaxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Si do duhet të reagojë mazhoranca kur përveç opozitës ka kundër edhe kreun e shtetit i cili nuk mjafton vetëm me deklarata por ka kaluar në akte konkrete?

Arben Pëllumbi: Sipas deklaratave që bëri presidenti, unë i bie që unë jam kriminel tani. Në këtë moment dua të theksoj dy ngjarje të rëndësishme. E para është mbështetja e madhe që morëm si Shqipëri nga gjithë Komuniteti Europian nnë fatkeqësinë e tërmetit çka na obligon të realizojmë detyrat që kemi. E dyta reagimi i Komisionit Europian i cili mbështet çeljen e negociatave me Shqipërinë. Pse e thashë këtë? Të presim çfarë do ndodhi në samitin e Zagrebit, nëse do shkojmë atje pa prodhuar ngjarje negative brenda vendit, gjërat do jenë më të lehta për ne që të marrim një rezultat pozitiv.

Juli Xhokaxhi: A mund të reagonte ndryshe mazhoranca ndaj lëvizjes së Presidentit?

Arben Pëllumbi: Presidenti i republikës është presidenti që ka kthyer numrin më të madh të ligjeve mbrapsht, dhe sigurisht me një qëllim të caktuar. Lëvizjet e Presidentit janë me qëllime opozitare dhe jo si president. Po të kemi parasysh që përpara se të hynte në Presidencë, doli dhe bëri fushatë elektorale krejtësisht antikushtetuese për forcën e tij politike, gjë që nuk duhet ta harrojmë.

Juli Xhokaxhi: Ju heshtët në atë rast…heshtët dhe e pranuat…

Arben Pëllumbi: Kur zgjedh dikë në një post të caktuar, ata që na zgjedhin mendojnë se kemi përgjegjshmërinë e nevojshme për të respektuar vullnetin e atyre që na zgjedhin dhe vendin që na është caktuar. Për këtë arsye në momentet kur mendohet se u zgjodh një figurë të caktuar, i mirë apo i keq ai ishte vendimi në atë kohë, duhej respektuar posti për të cilin është caktuar. Dalja në fushatë ishte një gabim i rëndë dhe një zhvillim i asaj presidence me probleme që po vazhdojnë të reflektohen.

Juli Xhokaxhi: Do shkoni në një shkarkim politik të Ilir Metës?

Arben Pëllumbi: Procesi është i mirëpërcaktuar, ka një Komision Parlamentar i cili do të bëjë një raport duke pritur opinionin e Komisionit të Venecias më pas do shkoj në Parlament ku do të votohet për shkarkimin por gjithsesi do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë shkarkimin e tij, deri atëherë ne nuk mund ta shkarkojmë presidentin.

Ndërsa Fatbardh Kadilli u shpreh se nuk është faji i presidentit që mazhoranca bën ligje antikushtetuese.

Fatbardh Kadilli: Këtu ka patur shkelje të Kushtetutës. Mazhoranca ka shpikur mekanizma të reja sepse nuk i pëlqen ky president. Nuk mund të themi se Presidenti është i keq sepse kthen ligjet parlamentit, mund të themi se është mazhoranca e keqe që bën ligje antikushtetuese. Të gjithë titullarët që votohen nga parlamenti kanë detyrimin të betohen përpara presidentit, ndërkohë që i është hequr presidentit. Ne shpikim formate të tjera sepse nuk na pëlqen se këtë kompetencë e ka ky President./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!