“Cikloni bombë” në SHBA, mbi 20 viktima e rrugë te ngrira

schedule14:03 - 5 Janar, 2018

schedule 14:03 - 5 Janar, 2018

“Cikloni Bombë” vazhdon të krijojë anomali në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet bëjnë me dije se mbi 20 persona kanë humbur jetën për shkak të motit të ftohtë me dëborë dhe ngrica. Ndërkohë, në disa aeroporte kanë rifilluar fluturimet.

Stuhia dimërore e pagëzuar me emrin “Cikloni Bombë” ka goditur brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara, me dëborë të rëndë dhe të ftohtë me ngrica duke bërë të pamundur kushtet për udhëtime. 6 persona kanë humbur jetën në Karolinën e Veriut dhe të Jugut, ku rrugët janë të ngrira duke shkaktuar aksidente të shumta. Gjithsej në Shtetet e Bashkuara numërohen mbi 20 viktima nga “Cikloni Bombë”. Stuhia ka sjellë dëborë edhe në Florida, një fenomen shumë i rrallë ky, i cili nuk kishte ndodhur që prej vitit 1989.

Ndërkohë, kanë rifilluar në orën 7 të mëngjesi me orën locale amerikane, 13 me orën tonë, fluturimet në aeroportin ndërkombëtar “Xhon Kenedi” të Nju Jorkut. Ata ishin pezulluar gjatë të enjtes për shkak të erërave të forta dhe ngrirjes në pistën e fluturimit. Gjithashtu kanë rifilluar edhe udhëtimet në disa aeroporte të tjera në Shtetet e Bashkuara.

Sajti për informacionet mbi fluturimet, “FlightAware”, bën me dije se mbi 5 mijë udhëtime me avion u anulluan në Shtetet e Bashkuara për shkak të kohës së keqe. Shumica e tyre ishin në aeroportin e Nju Jorkut dhe në Boston.

Gjithashtu në zonat e prekur nga “Cikloni Bombë” janë mbyllur shkollat deri në një afat të papërcaktuar. Mbi 16 shtete kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërkaq, shërbimi meteorologjik amerikan ka parashikuar se dëbora do të bjerë me sasi të mëdha dhe do të jetë e rëndë, shikueshmëria do të jetë e reduktuar, erërat do të jenë të forta dhe të rrezikshme. Sipas këtij departamenti, në NJu Jork temperaturat do të zbresin deri në -20 gradë celcius. Sheshi I njohur “Tajm Skuere”, që normalisht është shumë I populluar, është kthyer në një vend argëtimi për qytetarët më të guximshëm. Më shumë se 80 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike në shumë shtete amerikane. Virxhinia, Karolina e Veriut dhe Xhorxha janë vendet më të prekura./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!