Chelsea kërkon të fitojë gjithçka dhe drejtuesit e klubit anglez nuk u kursyen aspak në merkaton e verës së kaluar. Emra si Timo Werner, Kai Havertz, Hakim Ziyech dhe Thiago Silva zbarkuan në Londër. Skuadra e Frank Lampard po has vështirësi në kampionat, aty ku renditet në vend të shtatë me 29 pikë, 8 më pak se kryesuesit e Manchester United.
Ndërkohë, “Blutë e Londrës” do të përballen me Atletico Madrid në Champions League për një biletë në çerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube. Drejtuesit e Chelsea vijojnë të punojnë për të përforcuar kontingjentin e skuadrës së Frank Lampard dhe po përgatisin një sulm për Erling Haaland sipas raportimeve të The Athletic.
Bomberi norvegjez ka një klauzolë largimi prej 75 milion eurosh nga Dortmund, që bëhet aktive në verën e vitit 2022. Në Londër nuk kanë ndërmend të presin aq gjatë dhe po përgatisin një ofertë për klubin gjerman.
Dortmund kërkon shumë më shumë se klauzola, duke parë cilësitë, golat e shumtë të 20-vjeçarit të talentuar dhe interesimin e madh që ekziston për të. Chelsea e sheh si lojtarin e duhur për t’i besuar qendrën e repartit ofensiv dhe së shpejti do të trokasë në dyert e verdhezinjve me një ofertë tunduese. /abcnews.al