TIRANË- Pas 4 mbledhjeve të dështuara ku anëtarët e mazhorancës nuk jepnin pëlqimin për mënyrën sesi duhej të funksiononte, komisioni i posaçëm për shëndetësinë do të rinisë punën.
Të martën, socialistët, do të diskutojnë në lidhje me disa propozime që kanë dërguar në kuvend për mënyrën sesi duhet të zhvillohen proceset hetimore për koncesionet në shëndetësi, të cilat janë objekt pune të këtij komisioni te posaçëm.
Mbledhjet se fundmi nuk u zhvilluan pasi socialistët pretendonin se Albana Vokshi, kryetare e komisionit po e drejtonte atë politikisht, duke u përpjekur të diktojë edhe hetimin si të tillë.
Deputetja e Partisë Socialiste, Edona Bilali, u shpreh se që në mbledhjen e parë panë tendencat e opozitës për të mos i qëndruar kuadrit ligjor. Ajo tha se opozita u përpoq ta përdorte çështjen politikisht.
“Që në mbledhjen e parë u pa qartë se ka një tendencë për të mos i qëndruar ligjit. Të gjithë ishin të përfshirë, me akuza të ngritura dhe me dënime publike të dhëna. Ndërkohë që ligji është i qartë. Të dyja palët përzgjedhin ekspertë dhe ata u votuan në formë unanime dhe ato kanë ndërmarrë një plan hetimi dhe mbi bazën e planit. Ne prezantojmë planin dhe kalendarin. Raporti është shumë i gjatë. Ne po qëndrojmë strikt misionit të Komisionit Hetimor. Klima në komision si në Gestapo. Ne kemi planifikuar qindra të ftuar, janë të ftuar të gjithë ministrat e Shëndetësisë që nga viti 2006”, tha ajo.
Deputetja e Partisë Socialiste theksoi se mazhoranca ka vullnetin e plotë për këtë çështje, ndërsa tha se raporti i fundit do të prezantohet në javën e tretë të muajit korrikut.
“Limiti është fiks të ligji për komisionet hetimore parlamentar të posaçme. Nëse do shihet se ka keqdashje dhe janë shkelur procedurat, ato do t’i referohen organeve përkatëse. Vullneti politik dhe bërja transparencë do bëhet në bazë të ligjit. Ne javën e tretë të korrikut dorëzojmë raportin”, tha ajo./ abcnews.al