Champions League/ “Valsi i fundit” për Mbappe, “ylli” francez kërkon përmbysjen ndaj “Katalanasve”

schedule14:16 - 16 Prill, 2024

schedule 14:16 - 16 Prill, 2024

Jetën e ka përpara, por nuk dëshiron të përfundojë kështu. Kylian Mbappe u stërvit me shokët e tij të Paris-Saint Germain, i ndërgjegjshëm se një pjesë e nderit të tij është në lojë sonte në Katalonjë, me francezët, që  rrezikojnë eliminimin nga Champions League, pas humbjes 2-3 në shtëpi, dhe Barcelona në fushën e vet padyshim është e fortë.

I cilësuar si pasardhësi i denjë i Cristiano Ronaldo e Lionel Messi, Mbappe gjithmonë ka dashur të largohet nga PSG me “veshllapushen” e lakmuar, veçse rrezikon të ndodhë e kundërta, ndërsa në verë pritet të shkojë te “Galaktikët”. Mirëpo, Mbappe nuk është i vetmi, me teknikun Luis Enrique, i cili, po ashtu, dëshiron suksesin, madje beson fort tek ai, në sfidën që nis në orën 21:00.

“Parisienët” kanë probleme, por Hakimi kthehet në ekip, dhe në fushë janë Mbappe, Marquinhos, Lucas Hernandez, Vitinha e Ousmane Dembele. Ish-tekniku i “Katalanasve” kthehet për herë të parë si kundërshtar, diçka emocionuese, por ai e ka mendjen tek futbolli.

“Ne kemi pasur kohën e nevojshme për të analizuar këtë ndeshje dhe për t’u përgatitur. Përshtypja ime për ndeshjen e kaluar është që sfida ishte shumë e luftuar, e luajtur mirë nga të dyja skuadrat, dhe rezultati nuk reflektoi atë që ndodhi në fushë. Gjithsesi, ne humbëm dhe kjo na detyrën që të jemi në formën më të mirë këtë herë dhe të fitojmë. Lojtarëve u kam thënë se nuk duhet ta mendojmë fjalën “e pamundur”, dhe jam I bindur se mund ta përmbysim rezultatin”,- u shpreh gjatë konferencës për shtyp tekniku spanjoll.

Megjithatë, probleme nuk kanë vetëm francezët, pasi edhe “Blaugranat” kanë disa mungesa, ndonësi tekniku Xavi Hernandez do të hedhë në fushë një ekip të fortë, teksa Pedri më në fund është rikthyer si titullar në formacion, Araujo e ka marrë veten, të rinjtë Cubarsi dhe Yamal janë të shkëlqyer, dhe gjithmonë janë Gundogan, Raphinha e “bomberi” polak, Robert Lewandowski.

“Për ne është një mundësi shumë e madhe si klub, po ashtu për lojtarët dhe për ne trajnerët. Luajmë në shtëpi, kemi publikun në favor. Stadiumi “Montjuic” më ngjan shumë me “Camp Nou”, është shumë I zjarrtë, dhe unë parashikoj një ndeshje shumë të fortë. Nuk kemi arritur ende asgjë. Paris-Saint Germain do të vijë me synim të qartë për të fituar. Luis Enrique nuk do të dorëzohet. Duhet të jemi të fortë, dhe të sigurt në mbrojtje”,- u shpreh tekniku i “Katalanasve”, gjatë konferencës për shtyp. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!