Champions League/ Lazio kërkon “mrekullinë” në Mynih, PSG mjaftohet me barazimin në “ferrin” e “Baskëve”

schedule10:56 - 5 Mars, 2024

schedule 10:56 - 5 Mars, 2024

Nga Isildo Musta

Pas plot 13 ditësh mungesë, mbrëmjen e kësaj të marte rikthehet spektakli i UEFA Champions League, me skuadrat e mbetura në kompeticion, që bëhen gati për xhiron e dytë, të raundit të 1/16-ve, raund, që deri më tani ka patur edhe surprizia të mëdha, siç ishte edhe fitorja, minimale e Lazio, 1 me 0, ndaj favoritëve për fitimin e trofeut, Bayern Munich.

Pikërisht këta të fundit do të çelin siparin e xhiros së dytë të këtyre sfidave, teksa në orën 21:00 do të presin në “mitikun” e Mynihut, “Allianz Arena”, “Shqiponjat” e Lazio, ku padyshim objektivi kryesor është arritja e një fitoreje të madhe, për të siguruar kështu, për herë të 34-t, çerekfinalet e këtij kompeticioni, të cilin “Bavarezët” kanë arritur ta fitojnë plot 6 herë gjatë historisë së tyre.

Sa i përket formacioneve, tekniku, Thomas Tuchel pritet të përdorë si zakonisht formulën 4-2-3-1, ku në portë nuk ka sesi të mungojë, më i miri i brezit të tij, Manuel Neuer. Në krahët e mbrojtjes pritet të jenë Joshua Kimmich e Alphonso Davies e në qendër Kim Min-Jae e Eric Dier, me këtë të fundit, që preferohet para talentit holandez, Matthijs De Ligt e jo më kot tifozët e gjermanëve kërkojnë largimin e Tuchel.

Sa i përket mesfushës më të tërhequr do të jenë Pavlovic e Leon Goretzka, pasi siç theksuam edhe pak më lart, Kimmich do të pozicionohet në krahun e djathtë të mbrojtjes, pas mungesave të Sacha Boey e Noussair Mazraoui. Më të avancuar pritet të jenë Tel, Muller e Jamal Musiala, ndërsa sulmit si në çdo ndeshje të këtij sezoni pritet t’i besohet “bomberit” anglez, Harry Kane, me këtë të fundit, që ka tundur plot 31 herë rrjetën këtë sezon e ka asistuar në 8 raste skuadrën e tij, përgjatë 32 përballjeve të zhvilluara këtë sezon.

Mirëpo, nëse te Bayern ka mungesa, te Lazio është komplet e kundërta, me teknikun, Maurizio Sarri dhe “Shqiponjat” e tij, që do të kërkojnë të thellojnë rekordin e “Bavarezëve”, mes skuadrave të eleminuara, më shumë herë në raundin e 1/16-ve, teksa deri më tani 6 herë kampionët e Evropës kanë arritur të eleminohen plot 9 herë në këtë fazë, teksa vetëm Juventus, Chelsea, Porto, Arsenal e Real Madrid kanë bërë më keq se gjermanët.

Për të arritur këtë, tekniku italian pritet të bëjë vetëm një ndyrshim të vogël në formacionin, duke e mbajtur të pandryshuar në krahasim me atë të sfidës së kaluar. Kështu, në portë pritet të qëndrojë i vetmi portier, që ka shënuar në Champions League këtë sezon, Ivan Provedel. Në krahët e mbrojtjes ashtu si në sfidën e “Stadio Olimpico”, me shumë mundësi do të jenë Marusic e Elseid Hysaj, ndërsa qendra pritet t’i besohet dyfhes Gila-Romagnoli.

Ndryshimi i vetëm pritet të vijë në mesfushës, aty ku në vend të 29-vjeçarit italian, Danilo Cataldi pritet të jetë, ish-“ylli” i Inter, Matias Vecino, ndërsa dy “dirigjentët” e tjerë, Luis Alberto e Matteo Guendouzi nuk do të lëvizin. Sakaq, për të plotësuar formacionin tejet agresiv, 4-3-3, Sarri pritet të vendosë në “tridentin” e sulmit, lojtarë tejet efikase para portës, si brazilani, Felipe Anderson, danezi, Gustav Isaksen dhe kapiteni italian, Ciro Immobile.

Megjithatë, spektakël nuk pritet vetëm, në “Allianz Arena”, pasi në “Reale Arena”, të San Sebastianit, në Spanjë, “Baskët” e Real Sociedad presin në “ferrin” e tyre, “gjigantët” francezë, të Paris Saint-Germain, me këta të fundit, që ndryshe nga “Bavarezët” janë goxha më të qetë, kjo pasi arritën një fitore komode, 2 me 0, në “Parc des Princes”, vetëm tre javë më parë, duke e kthyer kualifikimin, në një mision më të lehtë.

Pavarësisht se e nisën sezonin në një mënyrë fantastike, duke arritur të mbyllnin në vendin e parë edhe grupin D, në Champions League, me skuadra si Inter, Benfica e Salzburg, “Baskët” e Real Sociedad po kalojnë aktualisht formën më të keqe të këtij sezoni, teksa kanë arritur të sigurojnë vetëm 1 fitore, në 9 përballjet e fundit, mes kampionatit, Kupës së Mbretit dhe Ligës së Kampionëve, gjë e cila ka shqetësuar jo pak teknikun, Imanol Aguacil.

Megjithatë, duket se gjithçka do të jetë ndryshe mbrëmjen e kësaj të marte, me strategun “iberik”, që beson te skuadra e tij dhe veçanërisht tek atmosfera, që pritet të krijohet në orën 21:00, në “Reale Arena”, me tifozët e Real Sociedad, që pritet të tejmbushin 39,313 vendet e lira në “mitikun” e San Sebastianit, vetëm për t’i ushturuar edhe më shumë presion kampionëve të Ligue 1

Sa i përke formacioneve, nuk pritet të ketë ndryshime, me formacionin e “Baskëve”, që me shumë mundësi do të jetë sërish ai 4-3-3, me portën, që do të mbrohet nga 28-vjeçari, Alex Remiro. Në krahët e mbrojtjes me shumë mundësi do të vendosen sërish Galan e Traore, ndërsa qendra nuk ndryshon aspak me Zubeldia e Le Normand, me dyshen “baske”, që ndryshe nga sfida e Parisit do të tentojnë të jenë të pakalueshëm.

Reparti i mesfushës pritet të jetë i mbushur me “yje”, me tre “dirigjentët” spanjollë, Brais Mendez, Martin Zubimendi e Mikel Merino, që padyshim do t’i shkaktojnë jo pak probleme, teknikut të PSG, Luis Enrique, por jo vetëm këta të fundit, pasi edhe sulmi është goxha potent, me “tridentin” e repartit ofensiv, që përbëhet nga “ylli” japonez, Takefusa Kubo, spanjolli, Ander Barrenetxea, ndërsa në “majën” e formacionit do të jetë “bomberi” portugez, Andre Silva.

Mirëpo, sërish nuk do të jetë e lehtë. Kjo jo vetëm për faktin, që në radhët e PSG ka “yje”, që shndërrisin fort, në arenën evropiane, por edhe për faktin e dy golave epërsi, dy gola, që i japin goxha qetësi, teknikut Luis Enrique, me këtë të fundit, që ka vuajtur jo pak në dy sfidat e fundit në kampionat, ku nuk ka shkuar më shumë se barazimi, 1 me 1, ndaj Stade Rennes, në “Parc des Princes” dhe 0 me 0, në “Stade Louis II”, ndaj “Princëve”, të Monaco.

Por, pavarësisht këtyre rezultateve, sërish kualiteti i skuadrës mbetet aty e për këtë sfidë, tekniku spanjoll pritet të hedhë në fushë më të mirët, me portën që si në çdo sfidë tjetër të këtij sezoni pritet të mbrohet nga “shtatlarti” italian, Gianluigi Donnarumma, me 25-vjeçarin, që po shkëlqen në sezonin e tij të 3-të me “Kuqeblutë” e Parisit. Në krahët e mbrojtjes pritet të jenë marokeni, Achraf Hakimi, bashkë me francezin, Lucas Hernandez e në qendër do të vendosen dy brazilianët, kapiteni Marquinhos dhe talenti 20-vjeçar, Lucas Beraldo.

Mesfusha gjithashtu ka emra të mëdhenj, ku padyshim emri më i madh është ai i “diamantit” francez, Warren Zaire-Emery, me 17-vjeçarin, që vijon të dominojë në rolin e “dirigjentit”, te PSG. Në mbështetje të këtij të fundit pritet të jetnë Fabian Ruiz e Vitinha, duke e mbushur me talent mesfushën francez, ndërsa për “tridentin” e sulmit nuk ka shumë komente nga kritikët, me “të rrufeshmit”, Bradley Barcola e Ousmane Dembele, që do të shoqërohen nga “ylli” më i shndrritshëm i ekipit, Kylian Mbappe, me këtë të fundit, që ka shansin e fundit, për të dërguar “parisienët” e tij, drejt titullit kampion, të UEFA Champions League. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!