Challandes: Edhe Italia zgjodhi San Marinon, nuk më paskeni njohur fare

schedule20:37 - 31 Maj, 2021

schedule 20:37 - 31 Maj, 2021

Katër miqësore do të zhvillojë Kosova në muajin qershor. Sfida e parë do të luhet ndaj San Marinos më 1 qershor, ndërsa më pas është radha e Maltës, Guinesë dhe Gambias. Trajneri i skuadrës dardane, Bernard Challandes ka dalë sot përpara mediave, aty ku preku disa çështje të ndryshme.

TAKIMI I PARË – “Luajmë nesër përballë San Marinos dhe mendoj se është një ndeshje mjaft e mirë për ne, pasi do të mund të shohim disa futbollistë të rinj. Para pak ditësh ata treguan cilësitë e tyre edhe ndaj Italisë, ndaj tani do të jetë radha jonë të tregojmë aftësitë tona.

EKIPI – “Kam parë një skuadër shumë të mirë në stërvitje dhe lojtarë që kanë treguar sjellje pozitive. E kemi të qartë që jemi në fund të një sezoni të lodhshëm, ndaj kemi disa mungesa për shkak të dëmtimeve dhe shkaqeve të tjera, por jam i kënaqur me kontingjentin e lojtarëve që kemi për këto ndeshje”.

RIVALËT – “Duhet të kemi parasysh se ne jemi Kosova, ne nuk e kemi mundësinë të zgjedhim gjithmonë atë që duam. Në mars u përballëm me dy kundërshtarë të fortë si Spanja dhe Suedia, ndaj mendova që do të ishte mirë të përballeshim me dy skuadra jo shumë të forta në këto momente, pasi jemi në fund të sezonit dhe lojtarët janë të lodhur.

Unë kam respekt edhe për këta kundërshtarë dhe i shoh si një mundësi e mirë për të luajtur futbollin tonë e për të vlerësuar disa lojtarë të rinj. Janë dy ndeshje ku ne duhet të fitojmë. Nëse mendoni se kam zgjedhur këta kundërshtarë për të shpëtuar kokën time, atëherë në këto 3 vite e gjysmë nuk keni mësuar asgjë për personalitetin tim”.

OBJEKTIVI – “Në futboll të vjen koha të përballesh me kundërshtarë të niveleve të ndryshme, njëherë ke përballë Anglinë dhe një herë tjetër San Marinon. Nëse Italia luan miqësore me San Marinon, atëherë pse të mos luajmë edhe ne. Nuk është një kundërshtar shumë i fortë, por këtu kemi një tjetër përgjegjësi, pasi nuk duhet vetëm të fitojmë, por edhe të bëjmë një futboll të bukur. Më duket një mundësi shumë e mirë për të provuar lojën tonë. Ndaj Spanjës kemi humbur, por kemi pasur mundësi të mësojmë shumë gjëra dhe këtu është një moment për të provuar të aplikojmë lojën tonë”.

ZHEGROVA – “Puna ime si trajner është të zgjedh futbollistë dhe të krijoj një grup me dublim lojtarësh në çdo grumbullim. Për këto ndeshje kam katër sulmues anësorë, të cilët janë Kastrati, Rashica, Zeneli dhe Bytyqi. Ky i fundit vjen për herë të parë, pasi ka bërë shumë mirë. Zhegrova nuk është në këtë listë, ashtu si edhe Berisha, pasi vendosa të kem vetëm kaq futbollistë në këtë grumbullim. Nuk ka asnjë arsye specifike”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!