Çfarë qëndron pas kërcënimeve të Turqisë për sulme në Siri?

schedule17:31 - 4 Qershor, 2022

schedule 17:31 - 4 Qershor, 2022

Associated Press

Në veri të Sirisë, banorët po përgatiten për një luftë të re. Derisa vëmendja e botës është përqendruar në luftën në Ukrainë, lideri i Turqisë thotë se po planifikon një operacion të madh ushtarak për të zmbrapsur luftëtarët kurdë sirianë dhe për të krijuar një zonë të sigurt, të kërkuar prej kohësh në zonën kufitare.

Tensionet janë të larta. Vështirë se mund të kalojë një ditë pa shkëmbime zjarri dhe granatime mes luftëtarëve kurdë sirianë, të mbështetur nga SHBA-ja, dhe forcave turke dhe të armatosurve të opozitës siriane, të mbështetur nga Turqia.

Analistët thonë se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, po përfiton nga lufta në Ukrainë për të shtyrë përpara qëllimet e tij në Sirinë fqinje – madje edhe duke përdorur pozicionin e Turqisë si anëtare e NATO-s, për të vënë veto ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancë.

Por, një inkursion i madh nga Ankaraja vjen me rreziqe dhe komplikime, duke kërcënuar të prishë lidhjet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.

Ai, gjithashtu, rrezikon të krijojë një valë të re zhvendosjesh në një rajon të shkatërruar nga lufta, ku grupi militant Shteti Islamik fshihet ende në hije.

Ambiciet turke

Muajin e kaluar, Erdogan përshkroi planet për të rifilluar përpjekjet turke për të krijuar një zonë mbrojtëse, 30 kilometra në thellësi të Sirisë, përgjatë kufirit të saj jugor, përmes një inkursioni ndërkufitar kundër luftëtarëve kurdë sirianë.

Erdogan donte ta krijonte atë zonë në vitin 2019, por operacioni ushtarak i asaj kohe nuk mundi ta arrinte atë.

“Një natë, ne do të zbresim mbi ta. Dhe duhet”, tha Erdogan, pa dhënë një afat kohor.

Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tri operacione të mëdha brenda Sirisë, duke shënjestruar forcat ushtarake kryesore kurde të Sirisë, të njohura si Njësia e Mbrojtjes së Popullit (YPG).

Turqia e konsideron atë si organizatë terroriste dhe një zgjatim të jashtëligjshëm të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

PKK, me dekada, ka zhvilluar një kryengritje brenda Turqisë kundër Qeverisë në Ankara.

YPG, megjithatë, përbën shtyllën kurrizore të forcave të udhëhequra nga SHBA-ja në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe ka qenë aleate kryesore e SHBA-së në Siri.

Turqia, përmes tri operacioneve të mëparshme ushtarake në Siri, tashmë ka kontroll mbi një pjesë të madhe të territorit sirian, duke përfshirë qytetet: Afrin, Tel Abjad dhe Jarablus.

Ankaraja planifikon të ndërtojë mijëra njësi banimi në ato zona, për të siguruar, sipas saj, “kthimin vullnetar” të një milion refugjatëve sirianë – nga 3.7 milionë sa janë aktualisht në Turqi.

Erdogan tha të mërkurën se trupat turke synojnë tani të marrin zona të reja, duke përfshirë qytetet Tel Rifat dhe Manbixh, të cilat ndodhen në kryqëzimin e rrugëve në autostradën perëndimore-lindore të Sirisë, të njohur si M4.

Turqia thotë se luftëtarët kurdë sirianë përdorin Tel Rifatin si bazë për të sulmuar zonat që janë nën kontrollin e luftëtarëve opozitarë sirianë, të mbështetur nga Turqia.

Ka pasur, gjithashtu, raportime se trupat turke mund të hyjnë në qytetin kufitar strategjik të Kobanit, ku ushtria amerikane dhe luftëtarët kurdë u bashkuan për herë të parë për të mposhtur Shtetin Islamik, në vitin 2015.

Qyteti ka një simbolikë të fuqishme për kurdët sirianë dhe ambiciet e tyre për vetëqeverisje në këtë pjesë të Sirisë.

Pse tani?

Analistët thonë se Erdogan duket se sheh një ndërthurje të rrethanave ndërkombëtare dhe vendore, të cilat e bëjnë të përshtatshëm një operacion në Siri.

Rusët janë të preokupuar me luftën në Ukrainë dhe amerikanët kanë nevojë që Erdogan t’i heqë kundërshtimet e tij ndaj zgjerimit të NATO-s me Finlandën dhe Suedinë.

“Ata (turqit) shohin një mundësi për të provuar dhe për të nxjerrë lëshime nga Perëndimi”, tha Aaron Stein, shef i kërkimit në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme në Filadelfia.

Një ofensivë në Siri mund të përdoret gjithashtu për të mobilizuar votuesit nacionalistë turq, në një kohë kur ekonomia e tyre është në rënie – me inflacion që shkon në 73.5%.

Turqia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare vitin e ardhshëm dhe inkursionet e mëparshme në Siri për të dëbuar YPG-në, e kanë forcuar mbështetjen për Erdoganin në votimet e kaluara.

Deri më tani, nuk ka shenja mobilizimi që tregojnë për një pushtim të afërt, megjithëse ushtria turke mund të vihet në gatishmëri mjaft shpejt.

Luftëtarët kurdë sirianë thonë se po e marrin seriozisht kërcënimin e fundit të Turqisë dhe janë përgatitur për një sulm të mundshëm.

Ata paralajmërojnë se inkursioni do të ndikonte në luftën e tyre të vazhdueshme kundër Shtetit Islamik dhe aftësinë e tyre për të mbrojtur burgjet në Sirinë veriore, ku gjenden mijëra ekstremistë – shumë prej tyre shtetas të huaj.

Lidhjet e Turqisë me Amerikën dhe Rusinë

Një operacion i gjerë ushtarak mbart rreziqe të larta dhe ka të ngjarë të zemërojë SHBA-në dhe Rusinë, të cilat gjithashtu kanë prani ushtarake në Sirinë veriore.

Turqia dhe Rusia mbështesin palë rivale në konfliktin 11-vjeçar të Sirisë, por janë koordinuar ngushtë në veri të vendit. Rusia nuk ka komentuar ende zyrtarisht, por ditëve të fundit, sipas aktivistëve të opozitës siriane, ajo ka dërguar avionë luftarakë dhe helikopterë në një bazë afër kufirit me Turqinë.

Si një nga aleatët më të ngushtë të Damaskut, roli i Rusisë në Siri ka qenë vendimtar për kthimin e konfliktit në favor të presidentit sirian, Bashar al-Assad. Luftëtarët e opozitës siriane u larguan në një enklavë në veriperëndim dhe në sferën e influencës së Turqisë.

Por, me Moskën e fokusuar në Ukrainë, nuk ka gjasa që presidenti rus, Vladimir Putin, ta pengojë Erdoganin në marrjen e asaj që, në thelb, është vetëm një pjesë e vogël toke përgjatë kufirit jugor të Turqisë.

Uashingtoni e ka bërë të qartë kundërshtimin e tij ndaj një inkursioni ushtarak turk, duke thënë se do të rrezikonte atë që është arritur me vështirësi në fushatën kundër Shtetit Islamik.

“Ne i njohim shqetësimet legjitime të Turqisë për sigurinë në kufirin e saj. Por, përsëri, ne jemi të shqetësuar se çdo ofensivë e re do të minonte më tej stabilitetin rajonal”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Analisti Stein tha se çdo operacion do të ishte i ndërlikuar, për shkak të pranisë ruse në të dyja pikat e nxehta: Kobani dhe Tel Rifat.

Nëse ky operacion do të zhvillohet, shtrohet pyetja se sa larg është i përgatitur të shkojë Erdogan në Siri, veçanërisht në dhe rreth zonës së Kobanit – dhe nëse ai do të kalonte pa u sfiduar nga Moska dhe Uashingtoni.

“Sa rreziqe është i gatshëm të ndërmarrë ai? Provat që kemi, tregojnë se ai rrezikon shumë”, tha Stein.