Çfarë përmban platforma e grupit të qendrës së djathtë?

schedule17:45 - 29 Prill, 2019

schedule 17:45 - 29 Prill, 2019

Platforma për marrëveshje kushtetuese e pesë partive aleate të demokratëve në opozitë, më përkatësisht Partisë Republikane, partisë Agrare Ambientaliste, Demokristiane, Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, përpos propozimit për rrugën dhe mjetin me të cilin duhet ndjekur arritja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, përcakton edhe një numër ndryshimesh si detyrë e qeverisë teknike.

Mes 12 pikave të platformës, pjesë e së cilës janë kërkesat e hershme të aleatëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor përmes përcaktimit të listave të hapura, janë edhe disa ndryshime kushtetuese që do të lëviznin balancat e pushteteve në vend.

I tillë është edhe përcaktimi me dispozitë tranzitore kushtetuese për një periudhë 15 vjeçare të krijimit të një qeverie kujdestare 6 muaj përpara zgjedhjeve, duke përcaktuar me ligj formën, kriteret e përfaqësimit dhe detyrat e saj. Ky propozim do t’i hiqte tagrin e organizimit të zgjedhjeve çdo qeverie në pushtet, dhe synon mbajtjen e zgjedhjeve të pa kontestueshme.

Një tjetër propozim i kësaj platforme e cila punon në funksion të kufizimit të pushtetit është ai për kufizimin e mandatit të kryeministrit dhe deputetëve, si dhe  zgjedhja e presidentit të republikës jo më nga parlamenti, por nga vota e qytetarëve. Të dyja teza të ngritura edhe më parë, e para nga vetë kreu i demokratëve Lulzim Basha gjatë fushatës së 2017-ës, ndërsa e dyta nga partia LIBRA kur në drejtimin e saj ishin Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi.

Rishikimi i reformës administrative është një tjetër detyrë e qeverisë tranzitore për aleatët, kjo sipas tyre me qëllim çuarjen e pushtetit lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane.

Platforma e partive të vogla shkon edhe më tej duke prekur sistemin gjyqësor në propozimet e saj, kur kërkon një vlerësim të drejtë të reformës në drejtësi për funksionimin urgjent të gjykatës kushtetuese, jo funksionale prej marsit të vitit të shkuar, dhe gjykatës së lartë, qoftë me një amendim të përkohshëm të ligjeve, në mënyrë që këto institucione të bëhen funksionale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!