Çfarë mund të pritet nga një reagim ushtarak i NATO-s?

schedule14:55 - 1 Shkurt, 2022

schedule 14:55 - 1 Shkurt, 2022

Disa vende anëtare të NATO-s po dërgojnë trupa dhe pajisje për aleatët në Evropën Lindore ndërsa përshkallëzohen tensionet me Rusinë. Shtetet e Bashkuara kanë vënë në gatishmëri disa mijëra trupa. Moska ka mbi 100,000 trupa të grumbulluara në kufirin me Ukrainën dhe Perëndimi i frikësohet një pushtimi të afërt rus, të cilin Kremlini e mohon. Por çfarë mund të pritet nga një reagim ushtarak i NATO-s.

Një shfaqje solidariteti. Katër avionë luftarakë danezë F-16 zbarkuan në Lituani javën e kaluar për të forcuar kontrollin ajror të NATO-s në Balltik.

Që nga aneksimi me forcë i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, NATO-ja ka dislokuar rreth 5 mijë trupa në Evropën Lindore – në atë që aleanca e quan një “Prani të Shtuar “.

Shtetet e Bashkuara kanë vënë në gatishmëri 8500 trupa shtesë.

“Trupat amerikane do të lëvizin në Evropën Lindore dhe vendet e NATO-s në një periudhë të afërt”, tha presidenti Biden.

Franca njoftoi planet për të vendosur qindra trupa të tjera në Rumani, ndërsa Spanja, Holanda dhe Gjermania po shqyrtojnë gjithashtu dërgimin e më shumë trupave, avionëve dhe anijeve luftarake.

Britania ka furnizuar Ukrainën me rreth 2 mijë armë antitank dhe pritet të ofrojë dislokime të mëtejshme për aleatët e NATO-s këtë javë.

“Kur bëhet fjalë për dislokime ushtarake, mendoj se është e rëndësishme që të sinjalizojmë Presidentit Putin se ajo gjë që e shqetëson më shumë, prania e NATO më afër Rusisë, do të ishte pasojë e një gabimi strategjik të pushtimit të një vendi sovran siç është Ukraina” tha Ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace.

NATO nuk ka plane për të dërguar trupa në Ukrainë.

“Trupat e NATO-s që janë në shtetet kufitare, janë atje më shumë për aftësi mbrojtëse dhe parandaluese, sesa në pritje për konflikt të drejtpërdrejtë, apo luftim të drejtpërdrejtë”, thotë Julie Norman me Universitetin College London Politics Lecturer.

NATO-ja thotë se po reagon ndaj një agresioni rus. Moska e quan përgjigjen një “histeri”. Rusia ka rreth 100 mijë trupa të dislokuara pranë kufirit me Ukrainën. Mijëra të tjera mbërritën në Bjellorusi për stërvitje të përbashkëta ushtarake këtë javë.

“Vetë NATO-s i është dashur t’i përgjigjet një kërcënimi të ri të paraqitur nga Rusia duke vendosur forca shtesë në Bjellorusi, e cila natyrisht ndan një kufi me Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë, që janë aleate të NATO-s, thotë Evelyn Farkas, ish Zëvëndës Ndihmës Sekretare e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë.

Dislokimet e NATO-s mund të rrisin më tej tensionet me presidentin rus, thotë analistja Norman.

“Kërkesa kryesore e Putinit në gjithë këtë është tërheqja e trupave dhe armatimeve të NATO-s nga shtetet lindore. Pra, fakti që ka më shumë grumbullime, shihet jo si një akt mbrojtjeje, por një akt ofendimi dhe provokimi nga Rusia”.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për të shmangur luftën vazhdojnë. Kryeministri i Britanisë Boris Johnson do të vizitojë Ukrainën sot dhe do të zhvillojë bisedime në telefon me presidentin e Rusisë./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!