Marsela Ceno, kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani, gjatë intervistës për “Real Story” në ABC News, tregoi arsyet që e detyroi të largohej nga Shqipëria drejt Gjermanisë, por edhe mundësisë e një rikthimi.
Ceno rrëfeu se një ndër arsyet e largimit ishte edhe ana profesionale, ku përpos pagës është edhe vlerësimi i punës së mjekut dhe respektimi i të drejtave të mjekut. Më tej ajo bëri apel, ku tha se nëse do krijohej mundësia e ndryshimit të klimës së punës në Shqipëri, vendi do ishte shumë i preferuar jo vetëm nga mjekët shqiptarë, por edhe nga ata gjermanë.
Ndër të tjera Ceno theksoi se Shqipëria sot është në tjetër nivel në tjetër status, krahasuar me vitin 2012.
Çfarë ju shtyu të largoheshit, dhe çfarë ju shtyn të mendoni të riktheheni ?
Ceno: Arsyeja ime personale por e përbashkët me komunitetin në Gjermani që përfaqëson ka qenë në vitet 2010-2012-2013, mungesa e dhënies së shansit që ne të kishim mundësi të specializoheshim. Një mjek nuk formohet pasi përfundon 6 vitet e mjekësisë, por pjesa më e madhe e jona dëshiron të zhvillojë edhe një specialitet në praktikë. Specialiteti në kohën qe ne jemi diplomuar ka qenë diçka luksi, nuk i jepej mundësia të gjithëve. Konkursi realizohej një herë në 4 vjet. Ne që kemi shkuar në Gjermani kemi punuar të gjithë si mjekë, ata që vijnë si infermierë, punojnë si infermierë. Kemi arritur të përfundojmë specializimin tonë, shumë prej nesh janë bërë drejtues departamentesh në spitalet ku punojnë apo shefa të departamenteve. Jetojmë me realitetin gjerman, por jetojmë edhe me realitetin shqiptar. Pasi kemi arritur të zhvillohemi nga ana profesionale, punojmë pa asnjë lloj dallimi me profesionalistët mjekësor gjermanë, përse të mos japim kontributin tonë në drejtim të Shqipërisë, që edhe pacienti shqiptar të ketë të njëjtin nivel si ai gjerman. Kjo është shkëndija që po lind te secili prej nesh për ata që po përballen me pyetjen brenda vetes, nëse ia vlen të kthehesh në Shqipëri apo jo.
Është vetëm detyrimi ynë moral por edhe dëshira jonë profesionale që me të njëjtën cilësi si trajtojmë pacientët në Gjermani, këtë shërbim t’ia ofrojmë edhe njerëzve në Shqipëri. Megjithatë asnjë prej nesh nuk e ka marrë vendimin për t’u kthyer në Shqipëri. Ka mjekë që janë kthyer, unë uroj që mjekët që janë kthyer të kenë pasur mundësinë dhe terrenin për të bërë ndryshimin, për të sjellë një frymë të re. Kjo është edhe ana që na frenon për tu kthyer, nuk është vetëm paga e lartë në Gjermani, por edhe vlerësimi i punës së mjekut dhe respektimi i të drejtave të mjekut. Në vendet tona të punës kemi një mbrojtje shumë të madhe, që na jep një siguri të jashtëzakonshme. Ky është apeli që dua të përcjell, nëse do krijohej mundësia e ndryshimit të klimës së punës në Shqipëri, vendi do ishte shumë i preferuar jo vetëm nga ne, por edhe mjekët gjermanë, kanë dëshirën për të ardhur dhe për ta provuar për të punuar si mjekë në Shqipëri. Vendi sot është në tjetër nivel në tjetër status nga ajo që unë e kam lënë në 2012, kur kolegët e mi nuk e dinin se ku binte Shqipëria në hartë, ndërsa sot shumë prej tyre vijnë dhe kalojnë pushimet në Shqipëri. Pra, është një moment që nëse shfrytëzohet me inteligjencë mund të kthehet në përfitime të mëdha për të gjithë vendin. /abcnews.al