Prokuroria e Tiranës ka thirrur paraditen e së hënës figura të Partisë Demokratike, përfshi kreun e saj Lulzim Basha për të dëshmuar lidhur me kontratat e lobimit të partisë që ai drejton, të lidhura përpara dhe gjatë fushatës elektorale të 2017-s.
Prokuroria njofton se nga hetimi kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ka një ndryshim mes deklarimeve zyrtare të shpenzimeve të kryera nga PD dhe shpenzimeve reale që kjo forcë politike ka bërë. Shifra arrin vlerën e 650, 000 dollarëve sipas Prokurorisë.
Në përfundim të dëshmisë së tij, në dalje kreu i demokratëve deklaroi se thirrja e tij në Prokurori erdhi në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit.
“Hetimi i hapur tashmë prej një viti e gjysmë bëhet mbi bazën e nenit 190 për çeshtjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ka një vit e gjysëm që ka nisur ky hetim, ka më shumë se gjashtë muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA dhe Britania e Madhe, nga Skocia, të cilat vërtetojnë se as Partia Demokratike, as një drejtues i PD nuk ka shkelur asnjë ligj, as në Shqipëri, as në SHBA dhe as në Britaninë e Madhe”.
Sipas kryedemokratit, hetimi i nisur me kërkesë të Partisë Demokratike për deklaratat e subjektit politik që drejton pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është një hetim që aktivizohet sa herë i duhet qeverisë për nevoja politike. Për këtë sfidoi Prokurorinë.
“I kemi kërkuar prokurorisë dhe ju nxis ju t’i kërkoni t’i bëjë publike përgjigjet e ardhura nga SHBA dhe Britania e Madhe”.
Nuk vonoi reagimi i Prokurorisë e cila përmes një deklarate për shtyp bëri zbardhjen e kërkuar nga shefi i selisë blu Basha. Sipas Prokurorisë,nga letërporositë e mbërritura nga Shtetet e Bashkuara dhe Skocia rezultojnë qartazi pagesat e bëra dhe të padeklaruara.
Një nga këto pagesa, totali i të cilave arrin shifrën 650,000 dollarë, sipas Prokurorisë rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj e quajtur “Biniatta Trade”./abcnews.al