Çështja e “Detit” me Greqinë/ Hasani: Jemi në kontakt me presidentin, presim vendimin për plotfuqishmërinë!

schedule10:30 - 28 Dhjetor, 2023

schedule 10:30 - 28 Dhjetor, 2023

TIRANË– Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, në një dalje për mediat, bëri bilancet e diplomacisë për vitin 2023, ndërsa renditi objektivat kryesorë për vitin e ardhshëm.

Ai u pyet për marrëveshjen e detit me Greqinë dhe kryediplomati Hasani tha se është një kontakt me kreun e shtetit, Bajram Begaj për këtë çështje dhe pret vendimin e tij për t’i dhënë plotfuqishmërinë ekipit negociator.

“Për sa i përket marrëveshjes së Detit, në jam në kontakt të vazhdueshëm me Presidentin e Republikës. Pres nga ai nëse ka nevojë për më shumë informacion. Di që më parë  ka pasur një komunikim shkresor midis dy institucioneve muaj më parë, para ardhjes time në krye të Ministrisë së Jashtme, por i kam shprehur edhe njëherë presidenti gatishmërinë, jo vetëm timen personale, por edhe të stafit të MEPJ, që ne ta ushqejmë me më shumë informacion apo me më shumë ide në lidhje me vendimin që ai duhet të marrë për të na fuqizuar për dhënien e mandatit për të filluar qartazi një negociatë, e cila ka ato detyrime që ka”, theksoi kryediplomati shqiptar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pati deklaruar më herët për median greke “Kathimerini” se çështjen e kufirit të detit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë është dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Sipas tij, marrëveshja me Greqinë  është arritur në parim, por ajo duhet të kalojë në disa hapa.

Sipas kryeministrit shqiptar, është presidenti tashmë duhet të japë një autorizim të ri për grupin negociator që të fillojë punë dhe më pas duhet të përgatitet marrëveshja e përbashkët mes dy shteteve. / n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!