“Çernobili shqiptar”, fantazma që do të helmojë shqiptarët dhe për shumë vite

schedule13:50 - 20 Tetor, 2019

schedule 13:50 - 20 Tetor, 2019

Tani në territorin e Metalurgjikut në Elbasan hidhen inerte e mbetje të tjera toksike por askush nuk i pengon. Kjo gërmadhë e së kaluarës në qendër të vendit do të vazhdojë dhe për shumë kohë të helmojnë shqiptarët. 

Duket sikur nuk ka për të gjetur kurrë zgjidhje rehabilitimi i territorit të ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Për më shumë se tre dekada me radhë në diktaturë, ai ishte ndotësi më i madh në vend.

Fatkeqësisht ka vazhduar edhe pas viteve 90′ kur u pushuan shumica e uzinave dhe fabrikave në përbërje të tij. Është dashur shumë përpjekje që operatorët e mëdhenj industrialë të vendosin filtrat e ajrit të cilat për hir të së vërtetës shpeshherë nuk vihen në punë.

Ndërkohë dhjetëra ndërmarrje të vogla e të mesme kanë gëluar atje dhe që nuk respektojnë  ligjin për mbrojtjen e mjedisit. Banorë të zonës përreth, të mbështetur edhe nga pushteti lokal kanë protestuar, por duket se biznese të tilla i kanë lidhjet e forta.

Sikur të mos mjaftonin këto, gjatë viteve të fundit në territorin prej 16 milion metra katrorë të ish metalurgjikut janë hedhur dhe vazhdojnë të hidhen inerte e mbetje të tjera toksike.

Dalëngadalë po ngrihen male me skorje të cilat po varrosin disa metra nën tokë helmet e dikurshme. Kurse ujërat industriale hidhen pa asnjë përpunim në Shkumbin.

Në maj të vitin 2016, me një vendim të posaçëm të qeverisë u duk se kjo situatë do të merrte zgjidhje për mirë.

Sipas këtij vendimi, objektet në përbërje të disa uzinave siç janë Uzina e Prodhimit të Çeliqeve, Uzina 12, Uzina e Nikel Kobaltit, Kombinati Energjitik etj, do të nënshtroheshin më parë ankandit e më pas shembjes.

Por duket se pati pak interes për këto objekte dhe ato vazhdojnë të mbeten si gërmadha në këmbë.

Edhe Bypass-i i Elbasanit që është projektuar të kalojë në këtë territor do ta pastronte zonën, por edhe ky projekt ka mbetur në letër, të paktën deri këtë vit. Kështu, ai që është etiketuar si “Çernobyli shqiptar” vazhdon të mbetet një fantazmë në qendër të Shqipërisë dhe duket se do të ekzistojë edhe për shumë vite akoma./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!