Censusi kombëtar i shpendëve/Klosi: Do ta kthejmë në atraksion turistik

schedule15:36 - 15 Janar, 2018

schedule 15:36 - 15 Janar, 2018

Kundrimin e shpendëve Ministria e Turizmit po synon ta kthejë në atraksion të zonave të mbrojtura. Ministri Blendi Klosi paralajmëroi masa të ashpra për ata që kapin dhe ekspozojnë shpende të tillë.

Të gjithë ata që kapin shpendë të rrallë do të ndëshkohen. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit shpalli aksion kombëtar nga laguna e Kune-Vainit ku ndoqi edhe mbajtjen e censusit të këtij viti për shpendët dimërorë të ujit.

“Nuk ka njeri që punon për mjedisin që nuk është ndier shumë keq kur shikojmë simbolin kombëtar të kapur në mënyrë ilegale, të balsamosur  në mënyrë ilegale, dhe po ashtu të ekspozuar në disa lokale apo qendra ku zhvillohet biznes, të simbolit kombëtar dhe të shumë kafshëve të rralla, është një thirrje e brendshme për të gjithë ne që nuk jemi aty ku duhet. Prandaj ne kemi marrë një aksion të madh publik për të kontrolluar dhe vendosur ligjshmërinë e cila është e qartë shpendët e rralla, kafshët e rralla, nuk lejohet të gjuhen nuk lejohet të balsamosen, nuk lejohet të mbahen në kundravajtje penale”

Synim sipas ministrit Klosi është që kthimi i shpendëve të kthehet në një burim të fortë turistik për zonat e mbrojtura.

“Ne do të presim me shumë kërshëri përgjigjet që do të vijnë nga monitorimi që do të bëjnë ekspertët për numrin e shpendëve shtegtarë që kemi sot në Shqipëri, por për ne është shumë e rëndësishme që ky fenomen të kthehet në një burim të fortë turistik për këto zona, që një turizëm i munguar si ai kundrimit të shpendëve të bëhet një atraksion i vërtetë për këto zona të mbrojtura.”

Censusi i shpendëve shtegtarë dimëror të ujit zhvilllohet njëkohësisht në 143 vende nga e gjithë bota. Në vendin tonë këtë vit shtrihet në 20 ligatina nga 16 që ishin vitin e shkuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!