Censi i Popullsisë dhe Banesave/ Rama: Proces me rëndësi, do të bëhet sipas standarteve evropiane

schedule10:34 - 13 Shtator, 2023

schedule 10:34 - 13 Shtator, 2023

Më 18 Shtator pritet të nisë Censi i Popullsisë dhe Banesave. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konferencën hapëse, theksoi se kjo është një nismë e rëndësishme. Teksa e cilësoi si një ‘ushtrim’ të vështirë për t’u realizuar, kreu i qeverisë tha se do të bëhet sipas standarteve evropiane.

“Sot besoj se janë pjekur kushtet që të nisim një proces me kaq rëndësi dhe ta bëjmë sipas standarteve evropiane. Është një ushtrim i vështirë sepse duhet trokitur derë me derë për të mbledhur në 6 javë të gjitha të dhënat që janë një nevojë absolute për shumë arsye. Dhe së pari, për të identifikuar realisht sa shqiptarë jetojnë në këtë vend sot dhe po ashtu sa është numri i pasurive të tyre të patundshme.”, theksoi Rama.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:

Jam së bashku me ambasadorin Luigi Soreca i cili me rikthimin në Shqipëri, meriton titullin legjendar sepse vetëm në legjenda ndodh që ata që ikin përgjithmonë rikthehen përsëri dhe nga ana tjetër duke pasur parasysh se sa shumë punë të mira dhe sa projekte të rëndësishme janë realizuar në Shqipëri pas këtyre lloj prezantimeve në kohën e qëndrimit këtu të Luigit, besoj se mund të them pa droje se këmba e Luigit është e mbarë dhe do të jetë një ogur i mirë. Ky prezantim i Luigit këtu edhe për suksesin e një nisme të jashtëzakonshme për nga rëndësia, përmasa dhe vështirësia për t’u realizuar me sukses.

Në 8 mars 1911, Ismail Qemali nga Stambolli i ka dhënë një intervistë revistës Volter ku i prezanton publikut francez një copë toke ekzotike të panjohur me emrin Shqipëri. Në atë intervistë, thotë se Shqipëria është e ndarë në veriore, jugore, ka myslimanë, të krishterë, ortodoksë, dhe nënvizon se pavarësisht fesë janë të bashkuar dhe ndajnë të njëjtat zakone. Ajo që Ismail Qemali nuk e thotë dhe nuk mund ta thoshte ishte sa shqiptarë ishin në atë territor. Dhe një prej gjërave që u bënë gjithmonë dhe më të pasakta në Perandorinë Otomane ishin defterët. Ai më i freskëti nëse mund ta quajmë me informacione për vendlindjen dhe besimin fetar, statusin e rekrutimit ushtarak për meshkujt, madhe edhe për stilin e mustaqeve, prapë se prapë nuk thotë asgjë për të dhëna që kanë të bëjnë me numrin e shqiptarëve.

Realizimi i censit u shndërrua në një nevojë urgjente pas Pavarësisë dhe tentativat e para për të kryer një regjistrim të plotë filluan në 1980, kur zonat kur erdhi Austro-Hungaria nis regjistrimi. Por mbeti përgjysmë sepse Austro-Hungaria u tërhoq. U desh të pritej viti 1923, 100 vjet pas, nën qeverisjen e parë të Ahmet Zogut që të realizohej një cens që mund të konsiderohet i denjë për këtë emër dhe kjo ishte hera e parë që ne pamë në pasqyrën e shifrave se përbëheshim nga 814 mijë frymë. Përfundimet jetëshkurtra por edhe të dyshimta të atij censusi përmblidhen disa vite më pas ku shkruan se regjistrimi i popullisë u bë me shumë të meta. Hetimet tregojnë se shumë katunde nuk janë regjistruar fare dhe nuk përfytyrojnë në librat e regjistrimit. Që nga ajo kohë, shteti ka bërë 11 censuse.

Disa në kohëra kryengritjesh dhe mësymjesh, disa nën indoktrimin e përgjithshëm të një regjimi totalitar dhe këto të pas ’90 dihet se çfarë vështirësisht kanë pasur. Sot besoj se janë pjekur kushtet që të nisim një proces me kaq rëndësi dhe ta bëjmë sipas standarteve evropiane. Është një ushtrim i vështirë sepse duhet trokitur derë me derë për të mbledhur në 6 javë të gjitha të dhënat që janë një nevojë absolute për shumë arsye. Dhe së pari, për të identifikuar realisht sa shqiptarë të këtij vendi jetojnë në këtë vend sot dhe po ashtu sa është numri i pasurive të tyre të patundshme./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!