Një aksident tragjik i mori jetën orët e para të mëngjesit të sotëm 30-vjeçarit Erjon Beli, në Durrës. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, i riu ka qenë duke përdorur telefonin dhe kjo i ka shkaktuar atij humbjen e kontrollit të mjetit.
Ndërkohë, një dëshmitar, i cili ka qenë shumë pranë vendit të ngjarjes ka deklaruar se është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë trupin e pajetë të 30-vjeçarit nga mjeti.
“Nga ora 12 e 5, u dëgjua një krismë. Dola bashkë me djalin tim dhe i pashë. Domethënë makina ishte përplasur këtu, trau i makinës ishte këtu, ndërsa makina ishte kthyer këtu. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët prenë makinën për të nxjerrë kufomën pasi makina ishte shumë e shtypur”, u shpreh dëshmitari.
Më tej ai ka rrëfyer se në automjet ka qenë edhe një tjetër person, por ky i fundit nuk ka pësuar lëndime.
“Pasagjeri ishte më në gjendje, u çua në këmbë vet. Ishin dy veta në makinë, shoferi dhe pasagjeri. Thanë që ishin këngëtarë tallavaje”, ka thënë dëshmitari./Abcnews.al