Mesfushori i Brescias, Sandro Tonali, është pothuajse një lojtar i Milanit dhe tashmë ka mbetur vetëm zyrtarizimi i tij nga klubi kuqezi. Presidenti i Brescia, Massimo Cellino, e pranon se muaj më parë Interi kishte arritur një marrëveshje për talentin italiani, por kushërinjtë e tyre u treguan më të shpejtë.
“Interi gaboi në të gjitha mënyrat në këtë operacion. Beppe Marotta e kërkonte Tonalin, ndërsa Antonio Conte e adhuronte atë. Klubet e tjera nuk po ndërhynin fare, pasi zikaltrit ishin pothuajse shumë pranë zyrtarizimit të marrëveshjes,” deklaron italiani për “Il Messaggero”.
“Me kalimin e kohës Sandro po bëhej i paduruar, pasi kërkonte të dinte të ardhmen e tij. Ai ka qenë tifoz me Milanin që i vogël dhe marrëveshja me ta e ka bërë shumë të lumtur atë.
Kam respekt për kuqezinjtë, pasi ata dinë ta vlerësojnë paranë. Maldini është një profesionist i vërtetë dhe e ka ADN-në e Milanit në gjak. Ai i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një nga drejtorët më të mirë në botë”, mbyll Cellino. /abcnews.al