Çelja e sezonit, Bedinaj: Lufta më keq se pandemia, na kanë dëmtuar turistët nga Ukraina

schedule19:32 - 26 Prill, 2022

schedule 19:32 - 26 Prill, 2022

Në prag të çeljes së sezonit, operatori turistik nga Vlora Vasil Bedinaj  shprehet pesimist. Në një lidhje direkte në Radar Informativ, me Juli Xhokaxhi, Bedinaj thotë se nuk do t’i kapin dot as këtë vit shifrat e 2019, që konsiderohet si viti më i mirë sa i takon përfitimeve.

Sipas tij rezervimet nuk janë optimiste, ndikuar nga lufta. Bedinaj thekson se i kanë dëmtuar turistët nga Ukraina, ndërsa po përpiqen që të operojnë me tregje të tjera.

“Nuk do të arrijmë në shifrat e 2019. Shkaku i luftës në Ukrainë dhe pas dy viteve të pandemisë nuk po arrijmë ti kalojmë. Nuk do të kemi të njëjta shifra që kishim në 2019.

Rezervimet nuk janë optimiste. Është për tu parë edhe fakti që dy tre vitet e fundit, rezervimet ndodhin pak ditë para, u fut ajo pjesa e riskut. Na kanë dëmtuar kontratat fikse që kemi pasur me Ukrainën. Vlora dhe jugu ka pasur numrin më të lartë nga Ukraina. Kemi pasur rreth 41 mijë turistë nga Ukraina, këtu janë vetëm charter-at. Këto kontrata kanë rënë. Jemi përpjekur të kapim tregje të tjera. kemi synuar të kapim tregun serb. Nuk jemi shumë optimistë”, tha ai.

Bedinaj thotë se kriza ekonomike është më keq se pandemia. “Vlora ka qenë çdo fundjavë e populluar nga bashkëatdhetarët tanë nga Kosova.  Kjo është, kriza ekonomikë më keq se pandemia, por kjo është si një molë. Nuk kemi arritur ende në nivelet që të kemi turizëm elitar. Ne jemi akoma turizëm të shkallës së mesme dhe poshtë. Kemi turistë të administratës që kursejnë.  Ky muaj ka qenë i Ramazanit dhe në javët në vijim do të kemi një rritje të numrit të bashkëatedhetarëve tanë nga Kosova”, shprehet ai. g.v/abcnews.al