TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar vazhdimin në mënyrë të pandërprerë të procesit të numërimit të votave.
Me një njoftim të shpërndarë për mediat, ky organ u kërkon Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor që të marrin masat për zëvendësimin e anëtarëve të grupeve të numërimit, nëse është e nevojshme.
Po ashtu, kryekomisioneri Ilirian Celibashi kërkon administrim të saktë të tabelave të rezultatit dhe të gjithë dokumentacioneve.
Njoftimi i KQZ:
Në mbështetje të pikës 1, shkronja “b”, dhe pikës 2, të nenit 19, e neneve 32, pika 1, shkronja a dhe pika 3, 33 shkronja a dhe ë, neni 119 pika 5, neni 168 dhe 171 pika 5, të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar, dhe të vendimit nr. 23, datë 24.4.2023 “Për organizimin e punës në Vendin e Numërimit të Votave, radhën e veprimeve gjatë dorëzimit të materialeve zgjedhore, numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore”,
URDHËROJ:
- KZAZ-të të zhvillojnë procesin e numërimit të votave për kandidatët për kryetar të bashkisë dhe të këshillit bashkiak në mënyrë të pandërprerë.
- KZAZ të marrin masa për zëvendësimin në kohë të anëtarëve të grupeve të numërimit nëse është rasti.
- KZAZ-të të plotësojnë dhe të administrojnë në mënyrë të saktë tabelat e rezultatit dhe çdo dokument tjetër zgjedhor, si dhe t’i përcjellin ato në KQZ nëpërmjet sistemit përkatës të transmetimit të të dhënave.
- KZAZ-të sigurojnë kushtet që çdo votë që numërohet dhe vlerësohet, të vëzhgohet nëpërmjet teknologjisë mbështetëse.
- Ngarkohen KZAZ-të për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.