Çelet gara për rrugën Milot-Fier, Balluku-opozitës: Zëdhënës të qametit, Zoti e pa Shqipërinë

schedule12:13 - 9 Korrik, 2020

schedule 12:13 - 9 Korrik, 2020

Dy javë nga shpallja zyrtare e procedurës, ministria e Infrastrukturë dhe Energjisë ka çelur garën për rrugën Milot-Fier.

Koncesioni ka një afat 35 vjeçar, ndërsa afati kohor për dorëzimin e ofertave është deri më 28 shtator 2020

Rruga do të jetë me pagesë dhe shkalla e tarifës për kilometra për automjet konsiderohet elementi i tretë i ofertës financiare dhe maksimalisht është lënë në nivelin 00.75 euro/km.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur të implementojë projektin për dhënien me konçesion/partneritet publik privat për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot – Thumanë – Kashar – Luzi i Vogël – Fier.

Përzgjedhja e Ofertuesit Fitues do të bëhet në bazë të një procedure konkurruese (procedurë e hapur) sipas kritereve kualifikuese dhe vlerësuese të specifikuara në këtë dokument.

Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP do të jetë 35 (tridhjetë e pesë) vjet nga hyrja në fuqi e saj. Kjo Kontrate hyn ne fuqi pas nënshkrimit nga palët dhe pas botimit te Vendimit te Keshillit te Ministrave te miratimit te saj ne Fletoren Zyrtare te Republikes se Shqiperise.

Autoriteti kontraktues sqaron se ky informacion në këtë seksion ka vetëm karakter informues. Për cdo informacion zyrtar, lutem drejtohuni në Sistemin e Prokurimeve Elektronike, në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik www.app.gov.al në profilin e procedurës konkuruese me numër Reference: REF-64779-07-08-2020“, njofton MIE.

Nga foltorja e Kuvendit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku i ka dhënë përgjigje akuzave të opozitës deklaruar se rruga do të ndërtohet nga kompani të atashuara qeverisë shqiptare prej 4 vitesh me fonde të BE.

“Javën e fundit kam dëgjuar vrerin sa i përket projektit për korridorin blu, segmentin Milot-Fier. Unë nuk i përgjigjem atyre që nuk i zë gjumi natën pse qeveria po realizon një ëndërr të shqiptarëve prej vitesh. Përse pas lançimit të këtij projekti nuk u hodhën dokumentacionet në APP. E kam ndaluar unë o zëdhënës të qametit sepse ju u turrët në ekrane për të vjellë zift.

Kemi dëgjuar deklaratat tuaja, të secilit prej jush dhe pamë se mos vallë kishit ndonjë lloj të vërtete. Pyesni gjithë kohës se kush janë ekspertët. Janë kompani të atashuara qeverisë shqiptare prej 4 vitesh me fonde të BE. Unë dua të di se kush janë ekspertët tuaj që thonë se kjo është një aferë e fryrë. I gjithë investimi prej 1 mld e 118 mln euro do të bëhet nga privati i cili do të konkurrojë me të tjerët. Konsulentët i kemi nën kontratë prej 4 vitesh.

Zoti është i madh dhe e ka parë Shqipërinë më në fund dhe nuk do vijë më dita që të vini ju. E çmendët këtë popull. Nuk arrij të kuptoj si nuk uluni të punoni për programin tuaj. Jo do merreni me shkatërrimin e asaj që po ndërtojmë ne. Ajo që ne do ndërtojmë, është ëndrra e çdo shqiptari që jeton në viset e veriut dhe dashuron perlat e jugut dhe e anasjellta. Ne do ta ndërtojmë me konsulentët tanë të BE.

 Ju jeni të paditur, ndoshta edhe të mërzitur se qeveria nuk i merr në punë gruan. Disa të tjerë janë katranë të zi. Përveç shqiptarëve do ta shijoni dhe ju dhe kur të kaloni, do të thoni se e paskan qarë”, tha Balluku./abcnews.al