Kastrioti u mposht nga Vllaznia në ndeshjen e luajtur në Kamëz. Një sfidë e luftuar deri në minutën e fundit kjo nga krutanët të cilët nuk mundën të dilnin me pikë nga kjo përballje.
Trajneri Emiliano Cella foli pas ndeshjes, ku u shpreh se arbitri është “macja e zezë” e Kastriotit që edhe këtë herë ishte kundër tyre.
“Gjatë gjithë ndeshjes patëm probleme, te bllokimi i linjave vertikale dhe markimi i fortë. Duhet të kishim bërë diçka më mirë, por jam i kënaqur sa i përket shpirtit të garës dhe luftës që bëmë në këtë ndeshje.
Ne do vazhdojmë të punojmë, kam besim te grupi dhe ekipi. Të gjithë e pamë mënyrën se si erdhi humbja. Do injektojmë besim dhe entuziazëm gjatë javës, e rëndësishme është të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi.
Do vijmë në një pikë që do luajmë më mirë dhe do dominojmë me kundërshtarë të caktuar. Na duhen edhe pikët prej pozicionit që jemi, që të vazhdojmë të punojmë me entuziazëm.
Ishim përgatitur për të pritur Vllazninë në limitet e zonës dy, e bëmë mirë deri diku, edhe presingun e bëmë mirë, por ishte edhe merita e Vllaznisë që hapej mirë me dy lojtarët e qendrës. Vuajtëm në linjat vertikale, ata po na i kapnin linjat vertikale dhe ekipi zbriste poshtë në mënyrë të natyrshme.
Protesta e lojtarëve te penalltia? Kur një futbollist mendon që po i bëhet padrejtësi, reagimi është më i ashpër. Unë jam i bindur që lojtari im kapi topin. Kemi pasur edhe paragjykim për këtë arbitër (Beqiri), ai nuk ka qenë shumë dashamirës për Kastriotin në këto vite, na është bërë si mace e zezë.
Kam pretendim timin në pjesën e parë te prekja me dorë e Adilit, duhet të jepte faull, ai ishte lojtari i fundit. Është faull dhe karton, por çfarë kartoni? Adili ishte lojtari i fundit, lojtari im del tek për tek me portierin. Ishte karton i kuq, pasi duket qartë se nuk e ka prekur me kokë. Topi do merrte tjetër fallco dhe drejtim nëse do e prekte me kokë. Pse nuk e çuan në VAR?
Premio nga kundërshtarët e Vllaznisë? Absolutisht jo. Të lutem mos kaloni në këto, është herët. Jemi në garë, nuk jam në dijeni, as nuk do e pranonim nëse do kishte”, përfundoi trajneri i skuadrës krutane. /f.a/abcnews.al