Ceferin: Nuk do ndërhyjë politika në zgjedhje, futbolli duhet të vendosë për futbollin!

schedule19:34 - 3 Shkurt, 2022

schedule 19:34 - 3 Shkurt, 2022

Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit fillimisht në një takim nga Kryeministri Edi Rama. Qëllimi i vizitës së presidentit Ceferin ishte diskutimi për problematikat e incidenteve të fundit lidhur me procesin zgjedhor të FSHF-së.

Më pas Ceferin është pritur në zyrat e FSHF-së nga Presidenti Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Gjatë vizitës Presidenti Ceferin dha edhe një intervistë për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, ku foli për qëllimin e vizitës së tij dhe komentoi takimin me Kryeministrin Edi Rama.

FSHF ndodhet përpara zgjedhjeve për organet drejtuese. Cili është komenti juaj për këtë çështje?

Erdha sot për të vizituar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për të takuar z. Armand Duka, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në parim UEFA nuk ndërhyn në proceset zgjedhore, por ne duam zgjedhje të ndershme dhe nuk duam asnjë ndërhyrje nga palë të tjera. Pata gjithashtu një takim me Kryeministrin Rama sot, ne ishim të pak të shqetësuar për situatën sipas raportimeve që kemi lexuar në media. Jam i kënaqur që ramë dakord me Kryeministrin, që futbolli duhet të vendosë për futbollin. UEFA do të japë të gjithë mbështetjen e saj, do të sjellë përfaqësues këtu për të verifikuar korrektesën e zgjedhjeve dhe sigurisht që të mos ketë ndërhyrje nga asnjë palë jashtë futbollit.

Ka pasur disa incidente këtu në fakt. Në fillim ishte shpërthimi në shtëpinë e Presidentit Duka dhe më pas disa tensione me Bashkinë e Tiranës, me kryebashkiakun që ka bërë shumë akuza të rënda ndaj FSHF-së. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë çështje?

 Gjëja më e rëndësishme këtu është që kjo situatë nuk e ndihmon futbollin shqiptar. Duhet të ketë qetësi, ne jemi gati të ndihmojmë që çdo gjë të jetë e qetë, çdo gjë duhet të jetë transparente dhe me qeverisje të mirë. Nuk dua të hyj në deklaratat e askujt që vijnë nga aktorë lokalë.

 Gjithë këto situata të tensionuara, a mund të ndikojnë në organizimin e finales së UEFA Europa Conference League në Tiranë më 25 maj?

Pasi kemi lexuar artikujt në media ne ishim pak të shqetësuar për finalen e UECL, por fola me Presidentin e FSHF-së dhe me Kryeministrin, me të cilin ramë dakord se nuk do të ketë ndërhyrje politike në zgjedhje, që futbolli do të vendosë për futbollin dhe kjo është ajo që duam. Nëse UEFA nuk ndërhyn, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces. Nëse gjërat do të jenë kështu dhe unë kam shumë besim në fjalët e Kryeministrit, atëherë zhvillimi i finales së Conference League këtu është i sigurt. Tani do të shohim përpara, sepse është finalja e parë e UEFA Europa Conference League në histori. /f.a/abcnews.al