Carl Bildt apel për NATO: Më shumë trupa ushtarake në Kosovë

schedule22:39 - 3 Tetor, 2018

schedule 22:39 - 3 Tetor, 2018

Nato duhet të dërgojë më shumë trupa ushtarakë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë. Është ky mendimi i ish-kryeministrit të Suedisë Karl Bildt, i cili e konsideron të rrezikshme idenë për korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

Ish-kryeministri i Suedisë Karl Bildt, i cili gjatë viteve ‘90, ka qenë i angazhuar ekskluzivisht në ngjarjet politike dhe në konfliktet në Ballkan, u shpreh se NATO duhet ta rrisë praninë e saj ushtarake në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë për shkak të diskutimeve që po bëhen për korrigjim kufijsh.

Me anë të një postimi në profilin e tij në Tuiter, Bildt shprehet se i rekomandon NATO-s dhe BE-së të rrisin praninë e forcave ushtarake në Kosovë dhe Bosnje, për shkak të paqëndrueshmërisë që ky diskutim për korrigjim kufijsh mund të shkaktojë.

Të njëjtin shqetësim kanë pasur dhe ish-diplomatë të tjerë të Bashkimit Europian të cilët kanë thënë se ideja për lëvizje të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të shndërrohet në precedent edhe për shtetet tjera të rajonit duke përfshirë këtu Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila sfidohet vazhdimisht nga “Republika Srpska”.

Bildt ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian në ish-Jugosllavi nga qershori 1995, ka marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Dejton, në nëntor 1995 dhe ka qenë Përfaqësues i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën nga dhjetori 1995 deri në qershor 1997, menjëherë pas Luftës së Bosnjës.

Nga viti 1999 deri në vitin 2001, ai shërbeu si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Ballkanin. /abcnews.al