Puna fantastike e teknikut të Inter, Simone Inzaghi duket se ka “mahintur” dhe “kritikun” më të madh të tij, me trajnerin legjendar Fabio Capello, i cili duket të ketë ndryshuar tërësisht mendim për skemat e teknikut “zikaltër”.
Për mediat, ish-trajneri tha se Inzaghi ka arritur të rregullojë një ndër problemet e tij më kryesore, zëvendësimet, me Capello që tha se tashmë tekniku i Inter është “pjekur” nga ky aspekt.
“Inzaghi ka pasur gjithmonë probleme me zëvendësimet, por tani është pjekur dhe është përmirësuar edhe në këtë drejtim. Skuadra luan mirë, të gjithë lojtarët janë në 100% të tyre dhe mendoj se qetësia dhe heshtja i ka dhënë karikimin e duhur”,- tha ish-trajneri.
Më tej, Capello nuk kurseu as “lavdet” për mbrojtjen “zikaltër”, teksa sipas tij, “çelësi i suksesit” të këtij Inter-i është pikërisht treshja e mbrojtjes, Darmian-Acerbi-Bastoni.
“Për mua çelësi i këtij Inter-i janë tre mbrojtësit italianë, Darmian, Acerbi e Bastoni. Nuk kanë lejuar që mungesa e Skriniar të ishte problem dhe kanë qenë gjithmonë siguria e Inter-it”,- u shpreh në përfundimin të fjalës së tij, Capello. /i.m /abcnews.al