Agim Canaj, trajneri i mirënjohur vlonjat, analizon si çdo të hënë takimet e Superiores në emisionin “Pressing” në ABC News. “Kjo javë vendosi luftën për titull. Tirana u rikthye te fitorja. Kukësi e kishte ndeshje jete në Laç, por e bëri Laçi atë gjë”, tha Canaj fillimisht.
“Teknikisht pashë te Laçi që ka freski fizike. Nuk e di nga e merr këtë fuqi. Kanë skuadër të re. Edhe strategjia më pëlqeu. Pjesën e parë ishte efikase strategjia. Kukësit i mungon egërsia. Po i luajte fort i hap probleme. Në fillim e la të luante Laçi.
Ua mbuloi mirë tre lojtarët e sulmit, që janë shumë të mirë. Pas 25 minutash u bëri presing lart dhe i ç’organizoi taktikisht. Kukësi duhet të ishte agresiv. Laçi punoi psikologjikisht. Shikoja reagimin e futbollistëve, që është shumë i rëndësishëm. Markoi dyshe, nga krahët. Pjesa e dytë pastaj ishte një shthurje e Kukësit në mënyrën e lojës. Krijuan aq shumë hapësira sa i shpëtoi portieri”. /abcnews.al