Drejtoresha e misionit vëzhgues ndërkombëtar të procesit të Vettingut në Shqipëri, Genovefa Ruiz Calavera, në një koment dedikuar procesit tashmë një-vjeçar të Vettingut ka nënvizuar rezultatet e ardhura nga ky proces.
Koha për ndryshim në gjyqësorin shqiptar: një vështrim pas një viti të procesit të Vettingut. Nën këtë titull, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, njëkohësisht shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genovefa Ruiz Cavalera, bën një koment ku duartoket punën e kryer në rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Një proces i cili ka një vit që ka nisur, duke shënuar mbi 100 vendime në shkallën e parë, atë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nga të cilët pothuajse gjysma kanë rezultuar me shkarkimin ose dorëheqjen vullnetare të atyre që janë vlerësuar. Calavera thekson se Komisioni Europian ndihet i inkurajuar kur mëson nga magjistratët e BE-së dhe SHBA-ve, pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, se hetimet po kryhen në mënyrë të plotë dhe profesionale. Kjo, e shoqëruar me hedhjen e bazave të institucioneve të reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai i Gjyqësorit.
Vonesat në afate, që kanë shkaktuar boshllëqe në sistemin e drejtësisë, si ai 10-mujor i Gjykatës Kushtetuese, për shefen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, janë të pashmangshme për të ndërtuar një gjyqësor të cilit qytetarët shqiptarë mund t’u besojnë. Është gjithashtu e rëndësishme, vijon ajo, që të gjitha autoritetet përgjegjëse për emërimin e antarëve të Gjykatës Kushtetuese t’i ushtrojnë detyrat në kohën e duhur dhe në mënyrë profesionale./abcnews.al

