Caktohet fati i kosovarit, u ndalua në Morinë

schedule16:15 - 23 Maj, 2019

schedule 16:15 - 23 Maj, 2019

Gjykata për Krimet e Rënda dënoi me 5 vite burg kosovarin Hamdi Mavriqi, i cili u arrestua një vit më parë në kufirin e Morinës. Ai u gjet fajtor për akuzën “Trafik armësh”. Para dhënies së vendimit, 45- vjeçari kërkoi mëshirë dhe tha se ka bashkëshorten sëmurë rëndë.

Tentativa për të trafikuar armë në Shqipëri, i kushtoi 5 vite heqje lirie shtetasit nga Kosova Hamdi Mavriqi, i arrestuar një vit më parë në kufirin e Morinës. Gjykata për Krimet e Rënda e dënoi të enjten 45- vjeçarin me 8 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi 2 vite e 6 muaj ulje.

https://youtu.be/rayv1DXEkds

Në seancë Hamdi Mavriqi shfaqi shenja pendese dhe kërkoi mëshirë nga trupa gjykuese, duke pretenduar se nuk punonte,  pasi kujdesej për bashkëshorten që ishte e sëmurë.

Rrethana lehtësuese për 45 vjecarin kërkoi në konkluzionet përfundimtare edhe avokati mbrojtës, I cili shtoi se akuzat e prokurorisë nuk janë të faktuara dhe nuk vërtetojnë se i pandehuri ka tentuar të kryejë veprën e trafikimit të armëve. Një seancë më parë, Gjykata për Krimet e Rënda ndryshoi akuzën për të pandehurin nga  “Trafikim i mbetur në tentativë” në “Trafikim i armëve.”. Ky vendim sipas avokatit ishte i  padrejtë, pasi sipas tij i pandehuri është arrestuar në kufi, ende pa kaluar në Shqipëri.

Hamdi Mavriqi u arrestua në flagrancë në prill të vitit të shkuar, gjatë një kontrolli rutinë të pikën e kalimit kufitar të Morinës. Me vete kishte tre armë zjarri pistoletë dhe 25 fishekë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!