Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako, i ftuar në emisionin “Log” në Abc ka bërë një panoramë të situatës në të cilën ndodhet vendi si pasojë e motit të keq.
“Situata në shkallë vendi paraqitet pa probleme, të furnizimit me ujë dhe energji etj. Prej gati 3 ditësh prej temperaturave është dashur të shtrëngohen masat në shkallë vendi për të qenë prezent në çdo moment. Të gjitha akset janë të hapura. Edhe në nivelin e njësive vendore ka një rritje të përgjegjshmërisë për hapjen e rrugëve. Situata si ajo e Greqisë mund të kushtëzojë edhe kapacitete më të mëdha se ne e jo më ne, por koha ka qenë me diell. Shqipëria shpesh i ka të planifikuara vështirësitë. Deri tani s’kemi pasur bllokime ekstreme”, tha Çako.
I pyetur nëse se me kë konsultohet ministria e Arsimit për mbylljen e shkollave si pasojë e të ftohtit, Çako tha: “Konsultimi është me të gjithë sistemin e mbrojtjes civile dhe të emergjencave”. Ndërsa pyetjes nëse do të ketë sugjerim që shkollat të jenë të mbyllura edhe pas të mërkurës, Çako tha Emergjencat Civile do të përcjellin informacion, kurse vendimin e merr ministria.
“Ne përcjellim informacion, bëjmë koordinimin mbi situata të mundshme bazuar mbi informacionet e partnerëve, sinoptike dhe të gjitha informacionet e tjera. Shpresojmë të ndryshojnë temperaturat, por vendimmarrja i takon ministrisë së Arsimit”, shtoi ai.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile tha se janë duke punuar për hartimin e një plani kombëtar të emergjencave bazuar dhe në rreziqet që i kanosen Shqipërisë. Teksa theksoi se ka problematika, Çako shtoi se fatkeqësitë natyrore s’mund të përballohen me një shtypje butoni.
“Të gjitha strukturat kanë detyrime, obligime, përgjegjësi për çështjen e emergjencave civile. Fatkeqësitë natyrore s’mund të përballohen me një shtypje butoni. Jemi duke punuar për hartimin e një plani kombëtar të emergjencave bazuar dhe në rreziqet që ekspozojnë Shqipërinë. Ka problematika, s’mund ta bëjmë rozë. Në zona të thella për shkak dhe të mungesës së infrastrukturës ka ende problematika, për bazën ushqimore nivelin ekonomik”, përmbylli ai. /abcnews.al