Cakaj takon homologun francez: Shqipëria dhe Franca komunikim intensiv për negociatat

schedule18:57 - 31 Janar, 2020

schedule 18:57 - 31 Janar, 2020

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij në Berlin është takuar me Ministrin e Jashtëm të Francës, Jean Yves Le Drian. Në këtë takim është diskutuar në lidhje me organizimin e konferencës së donatorëve që do të zhvillohet në Bruksel, më 17 shkurt, si dhe rëndësia e çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, gjatë vitit 2020.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryediplomati Cakaj ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Qeverisë  franceze për mbështetjen e pakursyer në procesin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit.

“Një gjë s’ka fjalë: Shqipëria ka bërë progres të pamohueshëm dhe ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE!”shkruan Cakaj.

Gjithashtu, Cakaj bëri me dije se me homologun francez u dakordësuan për zhvillimin e një komunikim intensiv politik dhe diplomatik në shërbim të projektit evropian për Shqipërinë, menjëherë pas publikimit të metodologjisë së re të negociimit nga ana e Komisionit Evropian.

“Shqipëria do të vazhdojë punën e pakursyer në funksion të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.”- siguroi ministri i jashtëm në Detyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!