Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj prezantoi në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, kuadrin paraprak të prioriteteve të Kryesisë Shqiptare për vitin 2020.
Në dimensionin politiko-ushtarak, prioritet do të jetë parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve, ku vëmendje të veçantë do të kenë kriza në Ukrainë dhe përreth saj, trajtimi i mëtejshëm i konfliktit në Nagorni-Karabak dhe adresimi i pasojave të konfliktit në Gjeorgji.
Në dimensionin ekonomiko-mjedisor, Cakaj tha se do të ketë vëmendje të veçantë lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i mirëqeverisjes në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm; ruajtja e mjedisit prej krimeve transnacionale dhe stimulimi i balancës midis pastërtisë mjedisore dhe politikave zhvillimore.
Ndërsa në dimensionin njerëzor dhe të lirive themelore, sipas ministrit te jashtëm do të jenë prioritare promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimit në të gjithë hapësirën e OSBE-së dhe afirmimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore./ABC News Albania 24/7