Bylykbashi: Basha harrohet, ikja e Berishës ka pasoja të mëdha, jam në krah të demokracisë

schedule23:30 - 4 Tetor, 2021

schedule 23:30 - 4 Tetor, 2021

Më shumë se pozicionim në krah të Berishës, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi shfaqen në “Foltoren” e tij në Durrës, e konsideroi të domosdoshme për të dëgjuar prej tij shpjegimin pse gjërat në PD kanë ardhur deri në këtë pikë. Në një bisedë me gazetarin Endri Xhafo “Log.”, ai deklaroi se Berisha nuk ka marrë kurrë një vendim për të mos hyrë në zgjedhje apo për të djegur mandatet.

“Është një urë shumë e rrezikshme që partitë të njihen me emrin e kryetarëve. Rregullat janë në kushtetutë. Unë nuk besoj që do hy te ky lloj diskutimi. Ajo që gjykoj unë ishte e nevojshme që për gjërat e rëndësishme të thoja fjalë të rëndësishme dhe për gjëra të forta të them gjëra të forta. Jam mësuar të them që kjo është kështu dhe unë jam gati të marr përgjegjësitë e mia.  Kam një eksperiencë të gjatë dhe puna më ka sjellë ta kem gjithmonë të mprehtë një shqisë për të kuptuar. Kam punuar gjatë me Sali Berishën.

Për 6 vite me atë në zyrë. Sali Berisha sa e kam parë unë nuk e pashë kurrë të merrte një vendim për të mos hyrë në zgjedhje apo për të djegur mandate. Kam parë shumë detaje të këtij lloj. Kam dëgjuar të thotë që ky vendim mund të na çojë edhe në sukses edhe në katastrofë. Kam pasur mundësinë për të lexuar mesazhet që është shumë e lehtë por nuk më ka rezultuar ashtu. Edhe në foltoren e Durrësit isha aty për të dëgjuar atë pse zoti Berisha na e ka borxh të gjithëve pse gjërat erdhën deri këtu. Është barra e tij për ta shpjeguar këtë gjë. Unë kam diskutuar edhe me zotin Berisha për këtë”, deklaroi ai.

Bylykbashi u shpreh se PD duhet të kërkonte transparencën e fakteve në lidhje me shpalljen non grata të Sali Berishës . Sipas tij në rast se nga partia do largohej Berisha, kjo do ishte me pasoja të mëdha, ndërsa çdo person tjetër mund të zëvendësohet.

“Unë besoj që PD bënte mirë ashtu si e kam dëgjuar zotin Basha të thotë, që të kërkojë transparencën e fakteve. Ta mbrojë zotin Berisha si trashëgimi politike. Është çështja e zotit Berisha që ai duhet t’i dalë përpara. Unë nuk e di sa do funksionojë, dhe çfarë juridiksioni ka ajo gjykatë ku është drejtuar zoti Berisha. Por unë e shoh në aspektin politik. Unë jam politikan që me gjithë kontributin modest në PD, ajo që më dhemb është PD së pari. Në rastin e ikjes së zotit Berisha pasoja është më madhja. Ndërsa për këdo tjetër nga Lulzim Basha deri te të tjerët ne do zëvendësohemi, harrohemi.

Unë jam për atë, së pari, partitë duhet të jenë parti me funksionim demokratik. 30 vite pasi ra komunizmit, unë besoj që nuk do i isha bashkuar PD në rast se gjatë eksperiencës time në kabinet nuk do kisha perceptuar hapësira të mjaftueshme. Nëse ajo është përkeqësuar në këto vite,  Berisha ka përgjegjësi. Unë jam në krah të demokracisë. Këtë e ofron zbatimi i statutit. Ne kemi problem moszbatimin e statutit. Kemi një problem demokracie brenda partisë. Nuk më duket që vjen nga Berisha, por edhe ai është aty. Lëvizja e zotit Kadilli tregon disa grupime. Vendimi i fundit i Bashës ka çuar në çarje të partisë”, u shpreh Bylykbashi. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!