Bylis ecën me ritëm të shpejtë drejt Supreiores teksa ballshiotët fituan në Adush Muça përballë Apolonisë me shifrat 3-1. Golat për mallakastriotët u shënuan nga Camara, Kastrati dhe Papa ndërsa për miqtë shënoi Omeri, një gol i minutave të fundit dhe që shërbeu sa për statistikë.
Pas kësaj fitoreje, Bylis ruan kreun e Kategorisë së Parë me 48 pikë ndërsa Apolonia mbetet me 30 pikë në vendin e pestë. Po 3-1, fitoi edhe Elbasani. Një fitore që erdhi në transfertë përballë Tomorit. Verdheblutë e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë falë golave të Telushit dhe Lleshit, ndërsa Melo shënoi në pjesën e dytë. Për vendasit golin e vetëm e realizoi De Oliveira në minutën e 72.
Elbasani mban kështu vendin e dytë me 46 pikë ndërsa Tomori mbetet në vendin e 11 me 14 pikë. Në ndeshjet e tjera, Flamurtari fitoi me shifrat 4-2 përballë Burrelit ndërsa Vora fitoi në transfertë 2-1 ndaj Korabit. /i.m /abcnews.al