Buxhet historik në 2025/ Ekspertja: Ekonomia shqiptare është e stabilizuar dhe me rritje konstante

schedule14:36 - 28 Tetor, 2024

schedule 14:36 - 28 Tetor, 2024

TIRANË- Projektbuxheti për vitin e ardhshëm pritet të jetë më i madhi i viteve të fundit.

Në projektbuxhet shpenzimet për vitin 2025 parashikohen  në vlerën e 8.2 miliardë euro ose 822.7 miliardë lekëve duke pësur një rritje të konsiderueshme me të paktën 600 milionë euro, në krahasim me vitin 2024. Po ashtu parashikohet ulje e deficitit buxhetor, por edhe e borxhit publik në nivelin e 55.8%.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj u shpreh këto tregues dëshmojnë se ekonomia e Shqipërisë është e stabilizuar dhe ka një rritje konstante të vazhdueshme.

“Në nivel makro, ekonomia shqiptare është një ekonomi e stabilizuar. Ka një rritje konstante të vazhdueshme”, tha ajo.

Në një prononcim për “Money Report” në ABC News, Nunaj e cilësoi buxhetin e vitit 2025 si “buxheti i infrastrukturës” pasi pjesa e ‘luanit’ shkon për këtë sektor.

“Është një buxhet vazhdimësie. Në këtë rast kemi ende një buxhet me nota të theksuar në infrastrukturë, dhe do t’i vija emrin “buxheti i infrastrukturës”.

Ajo tha se rritje më shumë është e mbështetur nga dy sektorë, siç janë turizmi dhe ndërtimi. Sipas Nunajt, qeveria do duhet t’i japë më shumë vëmendje pjesë së prodhimit.

“Kjo pjesa e rritjes 3.9 % është e kënaqshme dhe mbështetet nga dy sektorë, që janë sektori i turizmit dhe i ndërtimit. Do doja të kishte me shumë vëmendje te produkti “Made in Albania”.”, tha ajo.

Sa i takon eurobondit prej 600 milionë euro, që qeveria pritet të marrë në tregun e jashtëm, Nunaj tha se në këtë pjesë, Shqipëria mund të përfitojë nga një normë e mirë interesi për shkak se ekonomia e vendit është vlerësuar pozitivisht nga disa organizma ndërkombëtarë, që bëjnë matje dhe vlerësime të performancës.

“Kjo vlerë 600 milionë euro, që duam ta shpenzojmë dhe që ne nuk e kemi, dhe qeveria i është drejtuar tregut të jashtëm nëpërmjet një eurobondi . Kjo ka një favor, duke qenë se ekonomia shqiptare ka një vlerësim pozitiv, do të thotë garanton likuidimin e borxhit por na negocion për marrjen e një normë interesi më të ulët”, tha ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!