Bushati në Beograd, çtensionon situatën pas deklaratave të Ramës

schedule21:09 - 27 Shkurt, 2018

schedule 21:09 - 27 Shkurt, 2018

Nga Beogradi, ku ndodhej për takimin trilateral, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është përpjekur të ulë tensionet e ngritura nga deklaratat e kryeministrit Rama për Kosovën. Ndërsa homologu i tij serb, Ivica Daçiç, ka bërë thirrje për një diplomaci më të kujdesshme.

Takimi trilateral i Shqipërisë, Serbisë dhe Italisë ka mbledhur tre shefat e diplomacive në kryeqytetin serb. Ministri shqiptar është pyetur për deklaratat e kryeministrit Edi Rama nga gazetarët serbë, për një politikë dhe president të përbashkët me Kosovën. Bushati tha se Shqpëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për Bashkimin Evropian.

Ditmir Bushati: “Shqipëria, Kosova duhet të bëhen gati për një proces integrimi europian që ne shpresojmë të jetë i shpejtë, ku siç shihet qartë nga dinamikat e tij një pjesë të mirë të çështjeve që lidhen me politikën e jashtme janë çështje që i delegohen autoriteteve superkombëtare”.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç tha se edhe Serbia mund të bëjë deklarata të tilla me serbët e Bosnjës. Ndërsa me Shqipërinë e ka të qartë se nuk pajtohet rreth pavarësisë së Kosovës.

Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm i Serbisë: “Ne e dimë për çfarë nuk pajtohemi dhe ajo është Kosova. Do të doja të kishim më pak deklarata në rajon rreth kësaj çështjeje”.

Shqipëria dhe Serbia do të vazhdojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat e sidomos në atë të ekonomisë. Shefi i diplomacisë italiane, Angelino Alfano tha se për Ballkanin është me rëndësi të tejkalohet faqja e së shkuarës në histori, duke mbështetur vendet kandidate në procesin e integrimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!