Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, i ftuar në emisionin Real Story të Sokol Ballës në ABC News, ka zbërthyer gjithë historinë 6-mujore të zbulimit të shmangies së pagimit të taksave nga Elisa Spiropali dhe bizneset e familjes së saj.
Binaj sqaron se bashkëshorti i Spiropalit, Salarjon Totaj, ka biznes në fushën e ndërtimit dhe është kapur në evazion fiskal në shkallë të lartë.
A janë miliona euro? Binaj nuk e mohoi.
“Evazioni i konstatuar në këto subjekte ishte goxha i lartë, shumë i lartë. Atëherë, shifrën s’mund ta them dot, ishin goxha të larta, në këtë kuptim subjektet, kontrollet filluan në prill të këtij viti, këto marrin kohën e vet. Aktet e kontrollit janë mbledhur në shtator.”
Por, nga kontrollet prej prillit deri në shtator të këtij viti, Binaj deklaron se në muajin e katërt, bashkëshorti i Spiropalit arriti deri në kërcënime me jetë, çfarë detyroi një prej inspektorëve tatimorë ta denoncojë.
“Kërcënimet kanë qenë direkt nga bashkëshorti i Spiropalit, ndaj inspektorëve, kërcënime verbale, në disa qytete, Shkodër, Tiranë, Fier. Kërcënime verbale, kërcënime me jetë. Ndaj kërcënimet kanë qenë të rënda, një inspektor e ka denoncuar për kërcënime nga telefoni, me mesazhe të shkruara nga bashkëshorti.”
Por tashmë, bashkëshorti i Spiropalit do të ketë dy dosje të rënda. E para, kërcënimi me jetë ndaj një punonjësi shteti; e dyta, Tatimet tashmë e kanë referuar në Prokurori evazionin fiskal të burrit ndërtues të deputetes.
“Evazioni fiskal është shkelje penale, referohet ndaj organeve ligjzbatuese. Po ndiqet nga Drejtoria e Hetimit Tatimor.”
Binaj rrëzon të gjitha akuzat e Spiropalit. Nga emërimi, lidhjet e pretenduara me Belinda Ballukun, tek ndikimi politik për të zbuluar evazionin fiskal të bashkëshortit të saj në biznesin e ndërtimit.
Ai garantoi se do ta vijojë betejën si drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve kundër paligjshmërisë. Kurse për vetë Spiropalin kishte një këshillë.
“Do t’i thoja të paguajë taksat si gjithë qytetarët e Shqipërisë”./abcnews.al



